Greqia i propozoi Jugosllavisë ndarjen e Shqipërisë
Uashington, 15 janar - Një raport sekret i CIA-s, që daton nga 8 prilli 1951, nxjerr në pah planin e Greqisë për ndarjen e Shqipërisë mes saj dhe ish-Jugosllavisë.
Ky plan raportohet nga ambasadori i SHBA-së në atë kohë në Beograd, sipas të cilit një anëtar i Byrosë Politike jugosllave i kishte thënë se një propozim grek i ishte bërë Jugosllavisë në nivelin më të lartë për ndarjen e mundshme të Shqipërisë midis Greqisë dhe Jugosllavisë, ku pjesa jugore do ti kalonte Greqisë, ndërsa ajo veriore Jugosllavisë.
Referuar raportit të Agjencisë Inteligjente Amerikane, i cili mban nëntitullin Propozimi grek për ndarjen e Shqipërisë, mësohet se në një takim më 4 prill 1951 mes ambasadorit të SHBA-së në Beograd, Allen, dhe një personi të paidentifikuar, një anëtar i Byrosë Politike jugosllave i kishte thënë këtij të fundit se një propozim grek i ishte bërë Jugosllavisë në nivelin më të lartë, për ndarjen e mundshme të Shqipërisë midis Greqisë dhe Jugosllavisë. Por, kur ambasadori amerikan kishte shprehur mosbesimin e tij në lidhje me këtë bisedë, bashkëbiseduesi i tij i ishte përgjigjur se ky informacion i ishte besuar atij në bisedën më të sinqertë që ai kishte pasur ndonjëherë me një zyrtar të Jugosllavisë që nga viti 1941.
Ndërkaq, në fund të këtij raporti agjentët e CIA-s, në një koment të tyre shkruajnë se grekët kanë ushqyer tradicionalisht aspirata për Epirin e Veriut. Është e mundur që ata u përpoqën të ftonin Jugosllavinë lidhur me një ndarje të Shqipërisë. Një sugjerim i tillë me siguri do të ngjallte më tej frikën jugosllave të ndërhyrjes së huaj në Shqipëri dhe mund pjesërisht të shpjegojë raportet e fundit në shtypin jugosllav, duke akuzuar se Greqia dhe Italia janë duke ndërhyrë në Shqipëri, mbyllet raporti i CIA-s.
Në arkivat e Agjencisë Inteligjente Amerikane gjendet një numër i madh raportesh e dokumentesh, të cilat flasin për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe interesat e herëpashershme të kësaj të fundit për Epirin e Veriut. Në një dokument të 15 janarit 1953, raportohet për një takim mes kryeministrit grek Papagos dhe atij italian, De Gaspari, ku ky i fundit i thotë homologut të tij se Italia ka hequr dorë tashmë nga të gjitha ambiciet për Shqipërinë. Ndërkaq, kryeministri grek siguron homologun italian se Greqia do të ndjekë kërkesat e saj për Epirin e Veriut vetëm nëpërmjet rrugëve diplomatike, raporton koha.
Në një tjetër raport sekret të datës 29 dhjetor 1955, thuhet se sipas zërave që qarkullojnë në Greqi, Bashkimi Sovjetik përpara zgjedhjeve të programuara për tu mbajtur në shkurt, do të deklarojë mbështetjen për Greqinë për sa i përket çështjes së Epirit të Veriut tashmë pjesë e Shqipërisë, mbyllet raporti i CIA-s.