Greqia e zhytur në borxhe përballet me një vendim të vështirë
Athinë, 9 shkurt - Greqia e zhytur në borxhe po përballet me një vendim përfundimtar nëse do të miratojë masat e reja shtrënguese ekonomike për të lehtësuar gjendjen e brishtë financiare dhe të mënjanojë falimentimin muajin e ardhshëm.
Deputetët grek që përfaqësojnë partite politike socialiste, konservatore dhe të ekstremit të djathtë u takuan sot për të shqyrtuar planin prej 50 faqesh të negociuar me kreditorët ndërkombëtar të vendit.
Plani kërkon shkurtimin me gati 20 përqind të pages minimale, pakësimin e disa pensioneve me 15 përqind dhe eliminimin e 15 mijë vendeve të punës në qeveri. Punëtorët grek zhvilluan një grevë një ditore të marten për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj planit.
Huadhënësit ndërkombëtar Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë kërkuar që partitë politike greke të miratojnë planin, në mënyrë që shkurtimet e shpenzimeve të mos shfuqizohen pasi të zgjidhet një parlament i ri, ndoshta në prill.
Pa miratimin, huadhënësit thonë se nuk do ti japin Greqisë paketën e re të ndihmave prej 170 miliardë dollarësh, e dyta në dy vjet. Këto janë fonde që qeveria e Athins thotë se janë të nevojshme për të paguar 19 miliardë dollarë interesa në bonde në mars për të mënjanuar falimentimin.
Agjencitë e lajmeve njoftuan se në se plani i masave miratohet së bashku me një marrëveshje me kreditorët private për të shkurtuar 130 miliardë dollarë nga borxhi që Greqia iu detyrohet, banka qëndrore evropiane mund të lehtësojë edhe më tej shqetësimet e borxhit grek duke rënë dakort të marrë më pak sesa vlera reale e shumës që vendi i ka borxh.
Huadhënësit evropianë po e humbasin durimin nga negociatat dyjavore që Greqia ka zhvilluar me kreditorët e saj, duke shprehur shqetësim se një falimentim i Greqisë ndaj borxhit mund të çojë në largimin e saj nga blloku I 17 vendeve që përdorin euron dhe tronditjen e tregjeve financiare në mbarë botën.
Kancelarja gjermane Angela Merkel e ka nxitur Greqinë të zgjidhë problemet e saj financiare. Por zonja Merkel tha se ajo nuk do të mbështeste largimin e Greqisë nga eurozona dhe nuk mendon se kjo do të ndodh.