10 Janar 2025

Greqi: I hapet rruga kursit të kursimeve

Athinë, 9 korrik - Parlamenti në Athinë i dha votëbesimin qeverisë së re të drejtuar nga kryeministri Samaras. Në votimin e zhvilluar mbrëmë 179 nga 300 deputetë u shprehën pro kursit qeveritar të koaliconit trepartiak të Samarasit.

Lehtësimi u arrit natën duke gdhirë dita e hënë (09.07.) pak para se të mbërrinte ora një. Antonis Samaras arriti atë që kërkonte. Parlamenti i dha qeverisë së tij besimin me shumicën e votave. Presidenti i Parlamentit, Evangelos Meimarakis njoftoi rezultatin: \"300 deputetë kanë dhënë votën, 179 i kanë shprehur besimin qeverisë...\"

179 vota për kryeministrin e ri, Antonis Samaras. Pra nuk pati asnjë deputet të vetëm, që të ishte kundër nga rradhët e partive të koalicionit, Nea Demokratia-s koncervatore, PASOK-ut socialist dhe partisë së vogël \"E majta Demokratike\".

Në debatet treditore të zhvilluara në Parlament, Samarasi i bëri të qartë bashkatdhetarëve të tij se muajt që do të vijnë janë të rëndë. Greqia ndodhet mbrapa në zbatimin e reformave dhe duhet tani të nxitojë. Njëkohësisht ai do i kërkojë kredidhënësve, vendeve të euros dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që t`i japin më shumë kohë për realizimin e objektivave të kursimeve.

Dhe, thotë Antonis Samaras, ai do të kujdeset që në arkat e shtetit të futen më shumë para: \"Ne kemi vënë një synim tek privatizimet. Dhe nëse do të jenë të nevojshme ligje të reja, atëherë ne do i bëjmë ato. Ne duhet të përshpejtojmë privatizimet, sepse ato sjellin investime, me fjalë të tjera, vende pune dhe zhvillim.\"

Në këtë mënyrë ndërmarrja shtetërore e hekurudhave duhet të shkojë tek investorët privatë, po ashtu si centralet elektrikë, portet apo si toka. Kryetari i opozitës Alexis Tsipras nga Aleanca e Të majtës Radikale njoftoi kundërshtimin e ashpër të politikës së kursimeve, e cila do e çojë Greqinë drejt varfërimit të mëtejshëm. Tsipras kritikoi ashpër planet e privatizimeve: \"Provatizimet nuk do e shpëtojnë ekonominë tonë, por do e vjedhin.\"

Programi qeveritar duket si lajmërim për shitje, thotë Tsipras, sikur qeveria të kishte nxjerrë krejt Greqinë në shitje. Partia e tij do të luftojë kundër kësaj, në parlament dhe në rrugë. Privatizimin e planifikuar Tsipras e quan krim.

Ministri i ri i financave Yannis Stournaras kundërshtoi duke thënë se Greqia nuk mund të japë përjetësisht dhjetë përqind më shumë para se sa nxjerr. Prandaj, nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç politikës së kursimeve.

Stournaras shkon sot në takimin e ministrave të financave të grupit të euros në Bruksel. Atje do të raportojnë edhe kontrollorët e trojkës së BE-së, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ata patën marrë deri dje në Athinë nën vëzhgim financat shtetërore greke duke kontrolluar sa larg është Greqia, e cila u morr me dy fushata zgjëedhore, me planin e zbatimit të reformave.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)