Grenell mbështet dialogun Kosovë - Serbi nën udhëheqjen evropiane
“Jemi të lumtur që evropianët do të mblidhen në një takim më 10 korrik për diskutime të mëtejshme me Kosovën dhe Serbinë. Ne ofrojmë mbështetjen tonë totale dhe jemi mirënjohës për udhëheqjen e tyre”, shkroi Grenell në Twitter.
Më 10 korrik, përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë do të takohen virtualisht në një samit të organizuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Më 12 korrik, ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Nikoqir i takimit të Brukselit do të jetë shefi për politikë të jashtme i BE-së, Josep Borrell.
Një takim midis Kosovës dhe Serbisë, i planifikuar në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, nuk është mbajtur, pasi pak ditë para tij Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur aktakuzë për krime lufte kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Pas paraqitjes së aktakuzës, Thaçi ka anuluar pjesëmarrjen në takimin në Shtëpinë e Bardhë, e pas tij edhe Hoti.