Grekët përdorin gaz lotsjellës kundër emigrantëve February 29, 2020 12:31
Athinë, 29 shkurt - Trupat kufitare greke kanë përdorur gazin lotsjellës mbi emigrantët e mbërritur nga Turqia, të vendosura të mos e lejojnë hyrjen e tyre në vend.
“Gjatë gjithë natës forcat e sigurisë kanë parandaluar kalimet e paligjshme të kufijve,” i tha Ministri i Mbrojtjes Nikos Panagiotopoulos televizionit informativ Skai, ndërsa shtoi se disa emigrantë janë arrestuar.
Një ditë më parë Turqia e bëri të qartë se nuk do t`i ndalojë më refugjatët që të shkojnë në Europë, dhe vetëm disa orë më vonë, qindra prej tyre morën rrugën drejt kufirit me Greqinë e Bullgarinë. Vendi fqinj ka rritur gjithashtu kontrollet në ngushticat mes ishujve Grekë në Egjeun lindor dhe bregdetit turk, nga sa pohon Ministri i Politikave të Transportit dhe Ishujve Ioannis Plakiotakis, i cili është gjithashtu përgjegjës për rojet bregdetare.”Kufijtë Grekë janë dhe kufijtë e Europës,” u shpreh ai.
Në ndihmë të policisë kufitare mbërritën dhe forca special të policisë greke të cilat janë përpjekur të mos i lejojnë refugjatët që të hyjnë në pikat e mbyllura të kalimit kufitar në Kastanies dhe Pazarkule.
Situata në zonë mbetet e tensionuar. Disa emigrantë, nga sa raporton televizioni shtetëror, kanë arritur të kapërcejnë lumin në kufi më gomone.
Qeveria greke është mbledhur sot për një takim urgjent krize në fokusin e të cilit është situata e emigrantëve. Në Turqi policia, rojet bregdetare dhe zyrtarët e sigurisë kufitare u urdhëruan të lejojnë largimin e emigrantëve pas lajmit se 33 ushtarë turq ishin vrarë në Idlib.