Gordon: SHBA do të vazhdojnë ndihmën e pakursyer për Kosovën
Sarajevë, 14 qershor - Në ditën e dytë të vizitës në Bosnje dhe Hercegovinë, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Philip Gordon.
Ministri Hoxhaj ka falënderuar zyrtarin e lartë amerikan për kontributin e jashtëzakonshëm që administrata amerikane po jep për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.
Hoxhaj dhe Gordon kanë diskutuar për proceset e veçanta ndërkombëtare rreth Kosovës, dhe ndihmën e gjithanshme që SHBA-të po japin në drejtim të përmbylljes së suksesshme të tyre, duke filluar që nga procesi i njohjeve, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, por edhe proceset integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike.
Gordon ka siguruar Ministrin Hoxhaj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë ndihmën e pakursyer për popullin e Kosovës.
Kosova është shtet stabil, i pavarur dhe shumetnik, dhe dialogu teknik duhet ti zvogëlojë diferencat në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka shtuar Gordon.
Ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Sven Alkalaj.
Gjatë takimit, Ministri i Jashtëm i Kosovës e ka informuar homologun boshnjak për procesin e shtetndërtimit, reformat e brendshme, konsolidimin e gjithanshëm të shtetësisë dhe proceset e pritura të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Hoxhaj i ka parashtruar Ministrit Alkalaj kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Bosnja dhe Hercegovina.
Po ashtu, Ministri i Jashtëm i Kosovës ka kërkuar nga Qeveria boshnjake të pranojë dokumentet e udhëtimit të Republikës së Kosovës, gjë që do të mundësonte lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Gjatë takimit me Ministrin Alkalaj, Ministri Hoxhaj ka theksuar përkushtimin e Kosovës për të vendosur dhe avancuar bashkëpunimin politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor me Bosnjën dhe Hercegovinën.
Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, gjatë qëndrimit në Sarajevë, ka takuar edhe shumë udhëheqës të partive politike, deputetë, personalitete nga shoqëria civile dhe mediet boshnjake.
Gjatë takimit me Kryetarin e Partisë Social-Demokrate të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zlatko Lagumdija, Ministri Hoxhaj ka shprehur vullnetin e Institucioneve të Republikës së Kosovës për thellimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet parlamenteve të dy vendeve.
Edhe në këtë takim, Ministri Hoxhaj ka kërkuar nga kryetari i socialdemokratëve boshnjakë që të ndikojnë në mënyrë që Bosnja dhe Hercegovina sa më parë të njohë pasaportat e Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Kosovës ka takuar edhe të dërguarin ndërkombëtar në BeH, Valentin Inzko.
Hoxhaj ka zhvilluar një takim të veçantë edhe me Kryeministrin e Malit të Zi, Igor Likić, ku është diskutuar për thellimin e shumanshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona.
Në takim është biseduar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi, me theks të posaçëm në proceset e përbashkëta integruese të dy shteteve fqinje.