Gligorov: Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës
Shkup, 26 korrik - Pas GJND-së, në opinionin serb janë paraqitur zëra që thonë se Beogradi duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Edhe pas vendimit shumë të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, që shënoi dështim të madh të diplomacisë serbe, përfaqësuesit e saj në Beograd thonë se nuk do të heqin dorë nga qëllimet e mëhershme.
Kjo do të thotë se do të dërgojnë 50 emisarë në vende të ndryshme, në përpjekje për ti pamundësuar njohjet e reja për Kosovën dhe për të siguruar shumicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, për miratim të një rezolute me të cilën do të kërkoheshin bisedime për statusin e Kosovës.
Por, në Beograd ka zëra që thonë se politika e deritashme e Tadiqit dhe Jeremiqit për Kosovën ka dështuar dhe se dikush duhet të bartë përgjegjësi për këtë.
Rrjedhimisht shtrohet pyetja çfarë do të duhej bërë Qeveria serbe pas debaklit diplomatik të përjetuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë?
Vladimir Gligorov, nga Instituti i Vjenës për studime ekonomike, në këtë temë për Radion Evropa e Lirë thotë:
Objektivisht do të ishte më së miri nëse Qeveria, përkatësisht presidenti Tadiq, do të ishin në gjendje që në këtë çast të ndryshonin ekipin e politikës së jashtme, para së gjithash ministrin e Punëve të Jashtme.
Ngjashëm mendon edhe Vladimir Paviqeviq, nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd.
Ky është rast i mirë që të hapet çështja e përgjegjësisë së bartësve të politikës së dështuar. Tash 18 muaj kemi qenë të bombarduar me informata për sukseset e mëdha të diplomacisë sonë dhe veçanërisht për faktin që kishin arritur që çështjen e Kosovës ta bartnin nga terreni politik në atë juridik.
GJND-ja dëshmoi se si rezultat i kësaj politike, tash edhe në planin juridik kjo politikë nuk solli asnjë sukses, thotë Paviqeviq.
Gligorov dhe Paviqeviq angazhohen për ndryshime të politikës. Por, çdo të thotë kjo? A do të thotë kjo njohje e pavarësisë së Kosovës?
Vladimir Gligorov përgjigjet: Si epilog i fundit, po. Njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të ishte hapi i parë, por si rezultat përfundimtar i normalizimit të marrëdhënieve Beograd Prishtinë, do të duhej të pasonte njohja reciproke, pohon Vladimir Gligorov ( djali i ish-presidentit maqedonas Kiro Gligorov ) në prononcimin e tij për Radion Evropa e Lirë.
Çfarë thotë bashkëbiseduesi tjetër Vladimir Paviqeviq në këtë temë
Çështjen e Kosovës duhet hequr nga lista e prioriteteve. Duhet bartur në nivelin e zgjidhjes së çështjeve praktike që kanë të bëjnë me jetën e njerëzve në Kosovë. Politikën e jashtme të Serbisë duhet transformuar drejt realizimit të qëllimeve parësore, siç janë: Bashkimi Evropian, integrimet euroatlantike dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, konsideron Vladimir Paviqeviq.
Të pyetur nëse pushteti i tashëm në Beograd mund të heqë dorë nga retorika e deritashme për Kosovën dhe të pajtohet për normalizim të raporteve me Kosovën, pa vënë në rrezik legjitimitetin e vet, Gligorov thotë:
Personalisht mendoj se opinioni dhe populli në Serbi janë më të mençur se politikanët dhe se ata do ta mbështetnin një gjë të tillë, pohon Gligorov, ndërsa Paviqeviq thekson:
Kam bindjen se qytetarëve nuk u intereson ky realitet paralel. Në Mitrovicë kanë hequr dorë nga mitingu. Mendoj se porosia është e qartë duhen ndryshime, konkludon Vladimir Paviqeviq.