Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese për vizitë pune në SHBA
Prishtinë, 15 prill - Një delegacion i gjyqtarëve dhe këshilltarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryetarja e Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi, ka udhëtuar për një vizitë pune disaditëshe në Washington.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin amerikan, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese do të vizitojë Gjykatën e Qarkut të SHBA-ve për Qarkun e Kolumbisë (DC), Gjykatën e Apelit të Qarkut të DC, si dhe Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara, ku do të ketë mundësinë edhe të marrë pjesë në prezantimin dhe në argumentimin oral të rastit, “Shtetet e Bashkuara kundër Davis”.
Në vazhdim të qëndrimit në Uashington, gjyqtarët dhe këshilltarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës do të vizitojnë edhe Qendrën Federale Gjyqësore, si dhe Zyrën Administrative të Gjykatave të Shteteve të Bashkuara, për të mësuar më shumë rreth rolit të Zyrës Administrative, etikës gjyqësore në Shtetet e Bashkuara, si dhe raportin e gjyqësorit federal me mediat dhe me publikun.
Pas vizitës në Byronë e Agjencisë USAID për Evropë dhe Euroazi, qëndrimi i delegacionit të Gjykatës Kushtetuese në Uashington do të përmbyllet me vizitën në Fakultetin Juridik të Universitetit Amerikan, ku ndër të tjera, do të diskutohet mbi të drejtën kushtetuese dhe teoritë e interpretimit kushtetues, si dhe interpretimin e kritereve të pranueshmërisë në përzgjedhjen e lëndëve për shqyrtim.
Vizita e delegacionit të Gjykatës Kushtetuese në SHBA është mundësuar me mbështetjen e Programit të USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë në Kosovë (JSSP).