Gjykata Ndërkombëtare Penale do të hetojë krimet e luftës në Ukrainë
Hagë, 25 shkurt - Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, ka shprehur shqetësimin e tij për pushtimin rus në Ukrainë dhe ka thënë se Gjykata mund të hetojë krime të mundshme të luftës në këtë shtet.
“U rikujtoj të gjitha palëve që po kryejnë armiqësi në territorin e Ukrainës se zyra ime mund të ushtrojë juridiksionin e saj dhe të hetojë për ndonjë akt të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit apo krimeve të luftës të kryera brenda Ukrainës”, ka thënë Khan përmes një deklarate.
“Është e domosdoshme që të gjitha palët në konflikt të respektojnë obligimet e tyre sipas ligjit humanitar ndërkombëtar”, ka thënë Khan, duke shtuar se zyra e tij do të vazhdojë të vëzhgojë nga afër situatën në Ukrainë.
Në dhjetor të vitit 2020, Zyra e Prokurorit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale pati njoftuar se ka arsye për të besuar se në konfliktin në lindje të Ukrainës janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ekzaminimi paraprak është kryer, por ende nuk ka kërkesë zyrtare para gjyqtarëve për të nisur hetimet e plota. Gjyqtarët duhet të arrijnë pajtueshmëri para se të nisin hetimet. Rusia nuk është anëtare e kësaj Gjykate dhe ka kundërshtuar këtë rast.
Megjithatë, Gjykata mund të hetojë supozimet për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit në territorin e Ukrainës, pavarësisht kombësisë së atyre që supozohet se kanë kryer sulmet.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar një “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.