07 Janar 2025

Gjermania përkrah lëvizjen e lirë të kosovarëve në Evropë

Berlin, 17 janar - Në ditën e dytë të vizitës në Gjermani, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të kabinetit të Kancelares gjermane, Angela Merkel, me deputetë të Bundestagut gjerman, klerik fetar dhe personalitete të tjera publike në Berlin.

Ministri Hoxhaj në takimin me Këshilltarin e Kancelares Merkel për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Christoph Heusgen ka marrë mbështetje të fuqishme për proceset në Kosovë.

Me këtë rast, Ministri Hoxhaj ka përsëritur se Gjermania mbetet adresë e rëndësishme për Kosovën dhe roli i saj ka rëndësi të veçantë në proceset shtetndërtuese të shtetit tonë.

Në takim është diskutuar për thëllimin e marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Gjermanisë, për perspektivën evropiane të Kosovës si dhe për situatën në veri.

Në një tjetër takim, Ministri Hoxhaj ka takuar dhjetëra deputetë të Bundestagut gjerman, që i takojnë partive të ndryshme politike. Me këtë rast, Hoxhaj i ka informuar ata me zhvillimet dhe reformat që janë duke u bërë në Republikën e Kosovës.

Ministri Hoxhaj ka kërkuar nga deputetët gjermanë që edhe më tutje ta mbështesin popullin e Kosovës dhe aspiratën e tyre për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Ashtu si edhe një ditë më parë në takimin e Ministrin e Jashtëm Westerwelle, edhe sot Ministri Hoxhaj ka kërkuar ndihmën e Bundestagut gjerman për perspektivën evropiane të Kosovës.

“Është koha e fundit që Republika e Kosovës të ketë marrëdhënie kontraktuale me institucionet e Bashkimit Evropian dhe të nënshkruaj marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit, si parakusht për një të ardhme të sigurt në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Ministri Hoxhaj.

Ai ka thënë se Evropa duhet të përçoj sinjale të qarta tek qytetarët e Kosovës, që rruga e tyre drejt BE-së është e sigurt.

Në emër të deputetëve të Bundestagut gjerman, në këtë takim ka folur Michael Brand. Ai ka siguruar Ministrin Hoxhaj se të gjitha partitë e përfaqësuar në Bundestagun gjerman përkrahin Kosovën, shtetndërtimin e saj dhe perspektivën e saj evropiane.

“Ne edhe më tutje do të jemi zë i fuqishëm në Bundestagun gjerman për Kosovën”, ka shtuar Brand.

Ministri Hoxhaj i ka informuar deputetët gjerman edhe për situatën në tri komunat e veriut të Kosovës.  

Hoxhaj ka thënë se pa shpërbërjen e strukturave ilegale, kriminale dhe paramilitare nuk mund të ketë paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkan.

“Largimi i këtyre strukturave paralele dhe implementimi i plotë i Pakos së Ahtisaarit është i vetmi parakusht për paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkan”, ka theksuar Ministri.

Ministri Hoxhaj gjatë ditës ka mbajtur edhe një ligjëratë para 200 diplomatëve, përfaqësuesve të partive politike, ambasadorëve, profesorëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile e medieve në Berlin, me temën: “Kosova dhe e ardhmja e saj Evropiane”.

Në të njëjtën panel, ka qenë Denis MacShane, deputet nga Parlamenti Britanik dhe Deputeti i Bundestagut gjerman, Roderich Kiesewetter.

Ministri Hoxhaj ka zhvilluar takime edhe me shumë përfaqësues të tjerë politik dhe publik në Berlin, në përpjekje për të marrë mbështetje nga shteti gjerman për procesin integrues të Kosovës në BE, për shtimin e njohjeve dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)