Gjermania partner strategjik i Kosovës
Berlin, 12 nëntor - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar të martën një takim me Christoph Heusgen, këshilltar për Siguri dhe Politikë të Jashtme i Kancelares gjermane, Angela Merkel.
Ministri Hoxhaj e njoftoi Heusgen për progresin në Kosovë, forcimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar, si dhe avancimin e fuqishëm të agjendës euro-integruese.
Hoxhaj veçoi hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit si një të arritur shumë të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE, duke theksuar angazhimin e fuqishëm të Qeverisë për përmbushjen e agjendës integruese evropiane.
Ministri Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe që Gjermania po jep për Kosovën, me theks të veçantë në proceset integruese evropiane.
Këshilltari për Siguri dhe Politikë të Jashtme i Kancelares gjermane Angela Merkel, Christoph Heusgen, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë si dhe uroi ministrin Hoxhaj për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Heusgen po ashtu ka shprehur përkrahjen e mëtejshme të Gjermanisë për proceset në Kosovë.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj dhe z. Heusgen kanë biseduar edhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, integrimin e plotë të serbëve të veriut në jetën institucionale të Kosovës si dhe implementimin e marrëveshjeve me Beogradin.
Hoxhaj dhe Heusgen kanë biseduar edhe për thellimin e mëtutjeshëm të shkëmbimeve ndërmjet dy vendeve.
Në këtë pikë, ministri Hoxhaj ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e gjithanshëm të marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë, si një ndër partnerët kryesor strategjik të Republikës së Kosovës.