Gjermania paralajmëron sulme terroriste ndaj trenave në vendet perëndimore
Berlin, 31 gusht - Zyra Federale e Policisë Kriminale të Gjermanisë (Bundeskriminalamt - BKA) ka paralajmëruar të mërkurën për sulme të mundshme terroriste në vendet perëndimore.
Një zyrtar i BKA-së ka theksuar në një intervistë për “Funke Mediengruppe” se organizatat terroriste po mendojnë çdo ditë e më shumë që të sabotojnë hekurudhat për të nxjerrë trenat nga shinat gjatë udhëtimeve.
“Edhe pse konkretisht nuk ka lidhje me Gjermaninë, sulmet e tilla mund të ndodhin edhe këtu”, ka thënë zyrtari i BKA-së duke tërhequr vëmendjen se organizata terroriste Al-Kaida ka bërë thirrje përmes një reviste për të sabotuar hekurudhat e shteteve perëndimore.
I njëjti burim ka nënvizuar gjithashtu se në një faqe interneti, e cila njihet për lidhjet e saj të ngushta me organizatën terroriste DAESH, është diskutuar gjatë muajit korrik të këtij viti për të nxjerrë trenat nga shinat në vendet e Evropës. Sipas tij, ky portal i cilëson si “objektiv i dëshiruar” incidentet si aksidenti hekurudhor i vitit të kaluar në qytetin Bad Aibling, ku humbën jetën 12 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.
Pavarësisht të gjitha këtyre zhvillimeve dhe të dhënave, zyrtari në fjalë ka shtuar se nuk posedojnë informacione konkrete që një sulm i tillë mund të ndërmerret në Gjermani.