Gjermania mbështet zbatimin e plotë të marrëveshjes
Berlin, 21 tetor - Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri qëndroi për vizitë zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, nga data 15 nëntor deri më 19 nëntor, ku zhvilloi një varg takimesh në qeverinë gjermane dhe në Bundestag, si dhe mori pjesë në Konferencën e Institutit Aspen dhe seminarin për Kosovën të organizuar nga Akademia Evropiane në Berlin.
Në këto aktivitete diplomatike, Zëvendëskryeministrja Tahiri ishte e shoqëruar nga Dren Zeka, Këshilltar kryesor, Gazmir Raci, këshilltar politik dhe Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu.
Më datën 18 nëntor, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri u prit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë ku u takua Dr. Emily Haber, Sekretare e shtetit. Në këtë takim, z. Tahiri vlerësoi lartë marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve si dhe shprehu falënderime për kontributin e Gjermanisë në të gjitha fazat e rëndësishme të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Më pas ajo njoftoi për progresin e arritur në Kosovë në realizimin e vizionit euro-atlantik duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për reformat evropiane në të gjitha fushat, me prioritet për sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien për gjithë qytetarët dhe komunitetet.
Ajo në veçanti, vlerësoi rezultatet e arritura në rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën si dhe progresin e arritur në rrugën e integrimit në BE dhe NATO, duke theksuar se vendimi i BE-së për hapjen e negociatave me Kosovën për Marrëveshjen Stabilizim Asocim ka një rëndësi të madhe sepse tashmë zyrtarisht është konfirmuar ardhmëria e sigurt e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe premtoi angazhimin maksimal të Qeverisë së Kosovës dhe gjithë institucioneve për të punuar drejtë integrimit sa më të shpejtë në BE, NATO, OKB dhe institucione tjera relevante ndërkombëtare.
Nga ana e saj, Sekretarja e shtetit, Dr. Emily Haber vlerësoi progresin e arritur në Kosovë dhe përgëzoi Qeverinë e Kosovës për nismën e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian. Dr. Haber premtoi se Gjermania do të vazhdoj mbështetjen e fuqishme për zhvillimin e shtetit të Kosovës dhe perspektivën evropiane dhe euro-atlantike të saj, duke u angazhuar për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat relevante.
Ajo inkurajoi udhëheqjen e Kosovës që të vazhdoj angazhimet për forcimin e shtetit dhe perspektivës së qytetarëve të Kosovës, si dhe vlerësoi rëndësinë e mbarëvajtjes së zgjedhjet lokale në Kosovë sipas standardeve demokratike.
Një pjesë e bisedës u fokusua në zhvillimet rajonal dhe synimet në forcimin e paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në Ballkan.
Në këtë kuadër, të dy bashkëbisedueset vlerësuan progresin se Marrëveshja e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe të Serbisë është një kontribut qenësor për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe për perspektivën evropiane të të dyja shteteve.
Po ashtu, ishte pajtim i përbashkët se çelësi i suksesit të dialogut është në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit, duke pasur në vëmendje cilësinë e këtij procesi dhe respektimin e afateve kohore për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit. Dr. Haber theksoi se Gjermania mbështet zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit mes dyja shteteve, dhe kërkon qëndrim konsekuent të palëve në përmbushjen e obligimeve zbatuese.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri po ashtu zhvilloi takime të veçanta me deputetët e Bundestagut Gjerman, z. Hans Joachim Falenski, Kryesues i grupit parlamentar CDU për politikë të jashtme, Michael Brand, Deputet i CDU, Roderich Kiesewetter, Deputet i CDU, dhe Mari-Luise Beck, deputete e partisë së Gjerlbërtë.
Në këto takime, zëvendëskryeministrja uroi zgjedhjet e suksesshme nacionale në Gjermani dhe fitoren bindëse të partisë së Kancelares Merkel si dhe vlerësoi lartë kontributin e Bundestagut Gjerman për shtetin e Kosovës.
Nga ana e tyre, deputetët shprehën gatishmërinë për vazhduar përkrahjen për Kosovën ndërsa në mënyrë të veçantë theksuan rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të sinqertë të Marrëveshjes së Brukselit mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë duke potencuar rëndësinë e normalizimit të gjendjes në pjesën veriore të vendit dhe integrimin e serbëve të asaj pjese në institucionet e shtetit të Kosovës.
Normalizimi i marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të Brukselit, do të forcoj ardhmërinë evropiane të të dyja shteteve dhe do të mundësoj që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në rrugën e integrimit evropian, theksuan ata.
Gjatë pas ditës, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, qëndroi në Ambasadën amerikane në Berlin, ku zhvilloi një takim me Ambasadori i SHBA-ve në Gjermani, z. John B. Emerson dhe Zv. Shefin e Misionit, James Melville.
Në takim u bisedua për rrjedhat politike në Kosovë dhe rajon me theks të veçantë mbi mbarëvajtjen e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit.
Ambasadori amerikan Emerson me këtë rast rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve për perspektivën euro-atlantike të Kosovës si dhe vlerësoi lartë angazhimin konstruktiv të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit.
Ai gjithashtu tha se SHBA-të e shohin të një rëndësie kruciale zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe inkurajojnë palët që pa vonesa të përmbushin obligimet zbatuese.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri gjatë qëndrimit në Berlin realizoi një takim miqësor edhe Rita Sussmuth, ish Kryetare e Parlamentit të Gjermanisë, të cilës i shprehu mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për kontributin e saj për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Sussmuth u shpreh e kënaqur me përparimet në Kosovë duke thënë se populli i Kosovës e ka merituar lirinë dhe pavarësinë dhe tani duhet të punoni që shteti juaj të zhvillohet sipas ëndrrave dhe idealizmit që e keni pasur dhe e keni për vendin tuaj.
Ndërsa, në datat 16 dhe 17 tetor, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, mori pjesë në Konferencën dy ditore të Institutit Aspen ku u diskutuan sfidat politike dhe të sigurisë në fushën e energjisë në rajonin e Evropës Juglindore.
Konferenca zhvilloi punimet sipas rregullave të Chatam House dhe qëllimi ishte që të diskutohet për situatën ekzistuese energjetike në rajon, ndikimin e politikës në sfidat e sigurisë energjetike si dhe për gjeopolitikën e projekteve të gazsjellësve.
Po me datën 17 tetor në mbrëmje, ajo mori pjesë në panelin për Kosovën të organizuar nga Akademia Evropiane e Berlinit.
Gjatë qëndrimit në Berlin, Zëvendëskryeministrja Tahiri së bashku me bashkëpunëtorët e saj vizitoi Ambasadën e Kosovës në Berlin ku u pritën nga Ambasadori Skender Xhakaliu.