Gjermania mbështet perspektivën evropiane të Kosovës
Berlin, 16 janar -Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Gjermani, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Guido Westerwelle.
Në këtë takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Me këtë rast, dy ministrat janë pajtuar që të ketë më shumë investime gjermane në Kosovë.
Hoxhaj dhe Westerwelle, në një konferencë për medie janë pajtuar që në muajin mars të organizohet një Forum Ekonomik në Berlin, ku Kosova para investitorëve gjerman do ti prezantojë mundësitë e investimeve.
Duke folur për bashkëpunimin bilateral, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle ka theksuar se Gjermani mbështet integritetin dhe sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës.
Ne ishim ndër shtetet e para që e kemi njohur pavarësinë e Kosovës. Ne do ta mbështesim Kosovën edhe në të ardhmen, ka deklaruar Ministri gjerman.
Nga ana tjetër, Ministri Hoxhaj ka falënderuar homologun e tij për ndihmën që shteti gjerman ka dhënë në rindërtimin e Kosovës dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike në Kosovë.
Berlini për ne mbetet një adresë e rëndësishme politike në Evropë. Gjermania me politikën e saj, ka kontribuar në sigurimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan. Ka ndihmuar Republikën e Kosovës në periudha të ndryshme, për çfarë do të jemi gjithmonë falënderues, ka theksuar Ministri Hoxhaj.
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marr mbështetje nga shteti gjerman edhe për perspektivën evropiane të Kosovës.
Me këtë rast, Ministri gjerman Westerwelle ka thënë se Gjermania mbështet perspektivën evropiane të Kosovës.
Ne do ta mbështesim Kosovën edhe rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian. Gjermania do ti shfrytëzoj të gjitha mundësitë diplomatike për të bindur 5 shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë, ka thënë Westerwelle, pas takimit me Ministrin Hoxhaj.
Ndërkaq, Ministri Hoxhaj ka theksuar se Kosova nuk guxon të mbetet i vetmi vend në Evropë që nuk e gëzon lirinë e lëvizjes pa viza.
Viti 2012 është viti i Kosovës evropiane. Ne kemi përmbushur shumicën e kritereve për procesin e liberalizimit të vizave, ka thënë Ministri Hoxhaj.
Gjatë qëndrimit në Berlin, Ministri Hoxhaj ka kërkuar ndihmën e shtetit gjerman edhe sa i përket përmbylljes së procesit të njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Dy ministrat kanë diskutuar edhe për dialogun teknik që është duke u zhvilluar në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Ministri Westerwelle ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës që të vazhdohet me këtë dialog, si parakusht për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Nesër (e martë), Ministri Hoxhaj do të vazhdoj vizitën zyrtare në Gjermani, ku do të zhvilloj takime me shumë deputetë gjerman dhe personalitete të tjera të jetës politike dhe publike gjermane.