23 Dhjetor 2024

Gjermania kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan

Berlin, 30 prill - Pas ministrit Maas, edhe zëdhënësi i kancelares gjermane, Angela Merkel, është shprehur kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan.

Zëdhënësi i kancelares gjermane, Steffen Seibert, u shpreh të premten në konferencën e rregullt të zëdhënësve të qeverisë gjermane kundër ndryshimit të kufijve përgjatë linjave etnike në Ballkanin Perëndimor.

I pyetur nga Deutsche Welle se a ka përcaktuar qeveria gjermane vija të kuqe që nuk duhen të shkelen në rast të një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi,Seibert tha:

"Ju lutemi kuptoni që ne zakonisht nuk komentojmë dokumente jozyrtarë por sa u përket spekulimeve që qarkullojnë aktualisht në media për ndryshimin të kufijve në Ballkanin Perëndimor përgjatë vijave etnike, nga pozita e Qeverisë Federale unë mund t'ju them se ne e konsiderojmë shumë të rrezikshme."

"Ndryshime të tilla kufijsh mund të rrisin paqendrueshmërinë e rajonit, të krijojnë tensione të reja dhe deri në rikthimin e  konflikteve të së kaluarës. Si qeveri, ne vazhdojmë të promovojmë rrugën e integrimit evropian e transantlantik të vendeve në rajon, bazuar në demokraci, në shtetin e së drejtës dhe në multietnicitet", tha Seibert më tej dhe shtoi: "I inkurajojmë vendet e Ballkanit Perëndimor që të vijojnë axhendën e reformave e të përqendrohen sidomos në drejtësi dhe shtetin e së drejtës, në luftën kundër korrupasionit  dhe krimit  të organizuar."

Edhe zëdhënësi i ministrisë së punëve të jashtme, Christian Burger, kujtoi me këtë rast se edhe ministri i jashtëm Heiko Maas (SPD), gjatë vizitës së tij javën e kaluar në Prishtinë e Beograd, e hodhi poshtë në mënyrë kategorike idenë e ndryshimit të kufijve.

Në përgjigjen e tyre, zëdhënësit iu shmangën çështjes së autonomisë së serbëve në Veri të Kosovës.  

Qarqe qeveritare i thanë DW-së se Gjermania është e mendimit se  si bazë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duhet të shërbejnë  marrëveshjet e arritura deri tani në Bruksel. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)