Gjermania e Franca kërkojnë pezullimin e lëvizjes së lirë me Shqipërinë
Bruksel, 30 shtator - Kërkesa për azil dhe shkelja e rregullave të qëndrimit në BE në kuadër të lëvizjes së lirë ka ndezur zërat për pezullimin e regjimit të lëvizjes së lirë edhe për Shqipërinë.
Një dokument i brendshëm i Bashkimit Europian, i përgatitur nga presidenca sllovene, e që mban datën 27 shtator, një ditë para se Ursula von der Leyen të niste turin e vizitave në Ballkanin Perëndimor thotë se Gjermania dhe Franca po udhëheqin përpjekjet për rikthimin e vizave me disa shtete, përfshirë këtu Shqipërinë.
Në diskutime është përfshirë edhe Italia, që ndonëse jo aq e zëshme sa Franca e Gjermania mbështet idenë e pezullimit të këtij regjimi. Shqetësimi i këtyre vendeve është i njëjtë; shkelja e afateve 90-ditore të qëndrimit në BE dhe kërkesat e pabazuara për azil.
Bashkimi Europian ka në fuqi një mekanizëm për rikthimin e regjimit të vizave dhe aty parashikohen edhe rastet konkrete. Si kusht është rritja me 50 për qind e qëndrimeve të parregullta, ose përqindja e ulët e pranimit të kërkesave për azilkërkim. Të dyja këto kushte plotësohen nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Ukraina dhe Gjeorgjia.
Në dokumentin e brendshëm, Gjermania vlerësoi si më problematike kryesisht Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën, ndërsa identifikon edhe Shqipërinë dhe Serbinë mes 10 vendeve më problematike sa i takon kësaj çëshstje.
Gjermania thotë se ka regjistruar një rritje në shkeljet e afateve të qëndrimit nga shtetasit shqiptarë, moldavë dhe ukrainas, pavarësisht se vitin e kaluar këto shkelje ranë lehtë për shkak të pandemisë.