26 Dhjetor 2024

Gjermania do të lobojë fuqishëm për njohjen e Kosovës

Berlin, 10 qershor – Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, është takuar me Ministrin Federal të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle.

Pas takimit, Westerwelle ka thënë se diplomacia gjermane do të angazhohet fuqishëm në përkrahjen e diplomacisë kosovare në përpjekjet për të shtuar numrin e njohjeve të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimin në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

“Përshëndesim njohjen që ka ardhur dy ditë më parë nga Principata e Andorrës dhe ftojmë të gjitha shtetet që ta njohin Republikën e Kosovës”, ka thënë Ministri i Jashtëm gjerman.

Westerwelle, po ashtu, ka thënë se Gjermania do të ndikojë te të pesë shtetet e BE-së që ende nuk e  kanë njohur Kosovën, që sa më parë të marrin një vendim të tillë dhe se Gjermania do të ndihmojë Kosovën edhe sa i përket nënshkrimit të marrëveshjeve dhe vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian.

Ministri Federal i Punëve të Jashtme ka shprehur përkrahjen e palëkundur të Gjermanisë sa i përket sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Ne jemi të bindur se harta gjeografike e Ballkanit është e përfunduar dhe se Kosova dhe rajoni ka një të ardhme evropiane.  Ne do të përkrahim fuqishëm procesin e liberalizmit të vizave dhe integrimin e Kosovës në BE.  Evropa në këtë formë, po a mban fjalën se të gjitha shtetet e Ballkanit kanë perspektivë evropiane”, ka thënë Westerwelle.

Ai ka shprehur përkrahje edhe për reformat që po zhvillohen në Kosovë, dhe ka premtuar ndihmën e Gjermanisë sa i përket zhvillimit ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit dhe proceset e tjera në Kosovë.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka falënderuar Ministrin Westerwelle për qëndrimet e qarta mbështetëse rreth të gjitha proceseve në Kosovë,  veçanërisht rreth perspektivës evropiane të shtetit të Kosovës.

Hoxhaj ka thënë se adresa e parë politike në Evropë për Kosovën dhe qytetarët e saj është Berlini.

“Kosova është e përkushtuar që të forcojë partneritetin strategjik me Gjermaninë,  pasi që Gjermania dhe populli i saj në çdo kohë, në çdo rrethanë e kanë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin popullin dhe shtetin e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj. Ai ka kërkuar ndihmën e diplomacisë gjermane në përmbylljen e suksesshme të procesit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës. 

Rreth proceseve integruese të Kosovës, Hoxhaj ka thënë shteti dhe qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një perspektivë të qartë evropiane. 

“Kosova dhe kosovarët nuk mund të vazhdojnë të jenë shteti dhe populli më i izoluar në Ballkan”, ka thënë Hoxhaj duke kërkuar ndihmën e Gjermanisë për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe proceset tjera integrues të Kosovës në BE.

Gjatë takimit, Ministri Hoxhaj dhe Ministri Westerwelle, kanë nënshkruar një marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit mes dy diplomacive.

Të premten, Ministri Hoxhaj ka takuar edhe këshilltarin  e kancelares gjermane, Angela Merkel, dr.  Christoph Heusgen.

Në këtë takim, Ministri Hoxhaj ka marrë përgëzime për progresin që po shënohet në Kosovë dhe për reformat që po implementohen nga institucionet kosovare. Po ashtu, Heusgen ka shprehur përkrahje të plotë për Kosovën dhe sfidat e saj në rrugën e konsolidimit të shtetësisë, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe integrimet euroatlantike.

Ministri Hoxhaj ka zhvilluar edhe një takim pune dhe ka mbajtur një fjalë rasti në Fondacionin “Körber-Stiftung”, para shumë diplomatëve dhe përfaqësuesve politikë gjermanë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës ka zhvilluar një takim edhe me Tom Koenigs, përfaqësues i partisë së të gjelbërve të Gjermanisë. Në këtë takim, Hoxhaj ka marrë mbështetjen e kësaj partie me influencë në politikën gjermane, për proceset në Kosovë dhe zhvillimet integruese ndërkombëtare të saj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)