Gjenerali Hodges kundërshton mundësinë e tërheqjes së trupave nga Kosova
Washington, 11 mars - Ish-komandanti i Komandës së Ushtrisë amerikane për Evropë, gjenerali Ben Hodges, e ka kundërshtuar mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova.
Të martën, Donald Trump Junior, djali i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i bëri jehonë deklaratës së senatorit amerikan, David Perdue, në të cilën ai thoshte se “në rast që Kosova nuk e shfuqizon tarifën ndaj Serbisë dhe nuk është e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë”.
Por, gjenerali Hodges, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Twitter, se “ky do të ishte një gabim, pasi KFOR-i është spiranca e vetme e stabilitetit në rajon”.
Deklarata e senatorit amerikan për tërheqjen e trupave amerikane ka ngjallur reagime edhe në Kosovë. Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se qeveria urgjentisht duhet të plotësojë kërkesat amerikane për tërheqjen e tarifës ndaj mallrave serbe.
Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk beson që trupat amerikane do të tërhiqen nga Kosova.