Giffoni: Kosova të mos frikësohet nga dialogu me Serbinë
Prishtinë, 18 mars - Ambasadori italian në Kosovë, Michael Giffoni, konsideron se Kosova do të përfitojë nga dialogu me Serbinë, por shprehet se ka parë një lloj frike te kosovarët për këtë proces që për të duket e pakuptimtë.
Ai vlerëson se dialogu i nisur në Bruksel me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka për qëllim që të adresojë nevojat konkrete të njerëzve me qëllim të përmirësohet jeta e tyre si dhe niveli i stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon.
Në këtë moment unë mund të shoh në klimën politike në Kosovës, por dhe atmosferën e përgjithshme në aspektin e opinionit publik e ndiej një lloj frike, por nuk mund të kuptoj pse opinioni publik në Kosovë ndihet aq i frikësuar nga dialogu, si diçka që mund të rrezikojë sovranitetin nacional dhe legjitimitetin e shtetit të ri të Kosovës, ka thënë Ambasadori Giffoni.
Frikën e kosovarëve nga dialogu me Beogradin, ai e sheh si pasojë e procesit të gjatë zgjedhor për Kuvendin e Kosovës dhe konfrontimet e brendshme politike.
Ndjenja e frikës ndoshta është e lidhur me konfrontimin e fortë politik lidhur me procesin e gjatë e ndoshta edhe frustues të zgjedhjeve. Në thelb, kjo është e vërtetë, ka thënë ai.
Mirëpo, diplomati italian është i bindur se në fund të procesit të bisedimeve mes palëve, mund të ndryshohet atmosfera e përgjithshme dhe të lehtësohet procesi i integrimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Europian.
Diplomati italian sheh ngjashmëri mes lëvizjes për pavarësi në Kosovë dhe Itali.
Beteja e madhe për pavarësinë e Kosovës, për të cilën kam qenë dëshmitar për më shumë se njëzet vjet si diplomat, ka ngjashmëri me lëvizjen në Itali, sepse është lëvizje për legjitimim nacional, ka thënë Giffoni.
Por, ai thekson se kjo është e pamundur të shihet vetëm në aspektin nacional.
Duhet të shihet edhe në aspektin rajonal dhe Europian nëse dëshirohet të ketë përfundim logjik dhe të natyrshëm. Pavarësia e Kosovës është një element i rëndësishëm jo vetëm në vetvete, por për shkak të stabilitetit në krejt rajonin e Ballkanit dhe perspektivës evropiane të tërë rajonit, ka thënë Ambasadori Giffoni.