GDN rikonfirmon mbështetjen e plotë për konsolidimin e Kosovës
Prishtinë, 12 korrik - Grupi Drejtues Ndërkombëtar (GDN) rikonfirmon mbështetjen e tij të plotë për konsolidimin e Kosovës së pavarur, plotësisht sovrane, demokratike dhe shumetnike brenda kufijve të saj aktual.
GDN-ja e përshëndet progresin e bërë nga Qeveria e Kosovës në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin (PGJS); ajo vëren se shumica dërmuese e ligjeve që dalin nga PGJS-ja tanimë janë miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe i fton institucionet që ti japin prioritet hartimit dhe miratimit të legjislacionit të mbetur që kërkohet nga PGJS-ja si dhe të sigurojnë zbatimin e tij efektiv.
GDN-ja është e shqetësuar për çështjet e zhvillimit ekonomik dhe disiplinën buxhetore dhe fiskale në Kosovë, dhe e inkurajon qeverinë që të përpiqet për progres në këtë fushë dhe fusha tjera të rëndësishme që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e të gjithë qytetarëve dhe në qëndrueshmërinë e tërë vendit, përfshirë arsimin dhe shëndetësinë, sundimin e ligjit, pajtimin si dhe kujdesin domethënës për komunitetet pakicë.
GDN-ja mirëpret Strategjinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme për arritjen e njohjes së plotë ndërkombëtare dhe i inkurajon partnerët ndërkombëtarë që ta përkrahin Kosovën në arritjen e këtij qëllimi.
GDN-ja mirëpret njohjet e fundit të pavarësisë së Kosovës, mirëpret mbështetjen që kohëve të fundit i është dhënë nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik dhe i inkurajon të gjitha shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë.
GDN-ja lavdëron Kosovën për angazhimin e saj të përkushtuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe inkurajon Kosovën dhe Serbinë që si fqinjë të pavarur dhe sovran të vazhdojnë kërkimin e marrëveshjes për çështjet e interesit praktik për qytetarët e tyre.
GDN-ja i vëren frytet e para të dialogut dhe beson se, krahas avancimit të pajtimit dhe stabilitetit rajonal, dialogu mund të ndihmojë përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të të dyja vendeve, ndihmojë normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe ndihmojë në rrugët e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
GDN-ja lavdëron ofertën e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim të plotë me EULEX-in në hetimin e pretendimeve që përmban Raporti i Komisionit për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Hetimi i pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë, mbështet rolin e EULEX-it dhe mirëpret krijimin e task forcës speciale të EULEX-it.
GDN-ja përsërit thirrjet e saj për të gjitha organizatat, institucionet dhe individët relevantë që pa vonesë ti përgjigjen kërkesës së EULEX-it për çfarëdo dëshmie që kanë në lidhje me pretendimet që i përmban Raporti, dhe fton autoritetet kompetente që të marrin masa adekuate për mbrojtjen e dëshmitarëve.
GDN-ja e ka shqyrtuar planin e punës së ICO-së. Ajo e inkurajon qeverinë që ta ndihmojë përfundimin efikas të detyrave duke ofruar resurse të mjaftueshme dhe përkushtim praktik ndaj punës dhe institucioneve, dhe angazhohet për të gjetur fondet e nevojshme për ICO-në deri në fund të mandatit të saj.
GDN-ja përsërit përkushtimin e saj ndaj zbatimit të detyrave që dalin nga PGJS-ja në tërë vendin në partneritet me Qeverinë e Kosovës.
GDN-ja i ka kërkuar ICR-së që, në konsultim me autoritetet e Kosovës, të bëjë planifikimin për përmbushjen përfundimtare të mandatit të ICO-së në varësi të vlerësimit të mëtejmë nga GDN-ja të zbatimit të detyrave.