Galluci përkrah gjashtëpikëshin për veriun
Mitrovicë, 10 nëntor - Ish- përfaqësuesi i UNMIK-ut në veri të Kosovës Gerard Galluci, njëherësh kundërshtuesi më i madh amerikan për pavarësinë e Kosovës, ka vendosur që të angazhohet në këshillimin e serbëve të veriut.
Gerard Galluci nëpërmjet një analize i ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës në veri të Ibrit që të pranojnë zbatimin e Pakos së Ahtisaarit pa status dhe të përcjellë nga gjashtëpikëshi i sekretarit të OKB-së, Ban Ki Moon.
Të gjitha këto, sipas Gallucit, do tu mundësonin serbëve lehtësimin e problemeve të tyre dhe vetadministrimin pa e njohur pavarësinë e Kosovës.
Në një raport të punuar në kuadër të një organizate regjionale që mban emrin Transconflict e që vepron në Kosovë, Sanxhak dhe në jug të Serbisë, ish-administratori jep detaje të idesë së tij që pakoja të zbatohet nga një prani ndërkombëtare e OKB-së ose e BE-së.