Fyle: Kosova e ka vendin në Evropë
Stamboll, 22 qershor - Është mbajtur sot në Stamboll mbledhja vjetore e Bordit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal. Në këtë takim mori pjesë edhe një delegacion i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Koordinatori i Qeverisë së Kosovës për Bashkëpunim Rajonal, Lirak Çelaj.
Takimin e hapi Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoglu, i cili shprehu përkrahjen e Qeverisë Turke për punën e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe iniciativave rajonale në përgjithësi.
Në fjalën e tij, koordinatori i Qeverisë së Kosovës për Bashkëpunim Rajonal, Lirak Çelaj shprehu vendosmërinë e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për të marr pjesë dhe për të qenë aktiv në të gjitha iniciativat rajonale, thuhet në një njoftim të Zyrës për Informim të Kryeministrisë.
Më tej thuhet se Çelaj tha se bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë janë ndër prioritetet e Qeverisë dhe shtoi se përkundër vullnetit të mirë që ka treguar Kosova në këto iniciativa dhe fleksibilitetit me qëllim të avanicimit të Bashkëpunimit Rajonal, jo të gjitha vendet e rajonit janë sjellur njësoj.
Ai u përkujtoi të pranishmëve që në disa takime, Kosovës nuk i është lejuar pjesëmarrja për shkak të vizave apo arsyetimeve tjera.
Kosova ka të njëjtat ambicie, sikur shumica e vendeve të Ballkanit për integrime euro-atlantike, prandaj një pjesëmarrje në mënyrë të barabartë për të gjithë është e domosdoshme që iniciativat Rajonale të kenë sukses , është shprehur Çelaj.
Ai u përkujtoi pjesëmarrësve që për shkak të Serbisë janë bllokuar iniciativa që mund të jenë shumë të dobishme për mbar rajonin siç janë CFTA dhe RESPA. Çelaj tha se është koha e fundit që të pranohet realiteti dhe se përfaqësimi si UNMIK/Kosovo të ndërrohet në të gjitha iniciativat, sepse, kjo më nuk i përket realitetit në terren sidomos pash shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës së saj.
Fjalimi i Çelajt u pasua me protestë nga ana e përfaqësuesit të Serbisë, por u injorua nga Sekretari i përgjithshëm, Bishqeviq.
Në mbledhje ishte prezent ndër tjerash edhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerim, Stefan Fyle, i cili e ritheksoi qëndrimin se së shpejti Kosova do ta ketë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave.
Kosova e ka vendin në Evropë, Kosova ka të ardhme evropiane dhe gjithëpërfshirja duhet të jetë çështje kyçe sa i përket bashkëpunimit rajonal, ka thënë Fyle.
Në mbledhjen vjetore të Bordit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Hido Bishqeviq u rizgjodh edhe për një mandat 2 vjeçar, Sekretar i Përgjithshëm i KBR-së (RCC), si dhe u aprovua strategjia dhe plani i punës për vitet 2011 2013.