Fule: Jo Sarajevës, pa Kosovën dhe Serbinë
Bukuresht, 1 prill - Takimi i Sarajevës mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse në të marrin pjesë edhe Serbia, edhe Kosova, tha komisioneri i BE-së për zgjerimin, Stefan Fule.
Shpresoj shumë, që ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit, të mos humbasin mundësinë që ta kthejnë bashkëpunimin rajonal në një proces përfshirës, duke siguruar se të gjithë janë në tavolinën e bisedimeve, tha Fule.
Ai ka nënvizuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e Sarajevës nëse nuk do të jenë të pranishme si Serbia, edhe Kosova.
Do të marr pjesë në çdo konferencë që bazohet në parimet e gjithëpërfshirjes dhe shtyn një hap përpara bashkëpunimin rajonal, theksoi diplomati evropian.
Duke folur për heqjen e transmetuesve të paligjshëm të telefonisë së Serbisë në Kosovë ai theksoi se kjo nuk është çështje politike, por ekonomike. Megjithatë, eurokomisioneri për zgjerimin vlerësoi lart përparimin e rajonit, pasi siç tha ai njerëzit harrojnë se në këtë pjesë të Evropës, kemi parë shpërbërjen më shkatërruese të një shteti. Nëse e krahason situatën e sotme me atë të 15 viteve më parë mendoj se çdokush do të habitej.
Fule i bëri këto komente në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve DPA.