Fuele sjell në Beograd listën për bisedimet me Prishtinën
Beograd, 17 shtator Komisioni Evropian konsideron se ka ardhur koha për shqyrtimin e kandidaturës së Serbisë për BE, citojnë mediat e Beogradit komisarin evropian për Zgjerim, Stefan Fuele.
Fuele ndodhet sot në kryeqytetin e Serbisë dhe është takuar me zyrtarët më të lartë të këtj vendi.
Pas takimit me presidentin serb, Boris Tadiq, komisari evropian Fuele tha se ka ardhur koha që BE ta kuptojë seriozisht kërkesën e Serbisë për anëtarësim.Mediat e citojnë të ketë thënë se vendimi mbi përcjelljen e kërkesës së Serbisë në Komisionin Evropian do të merret shpejt.
Porse procesi do të zhvillohet në përputhje me meritat
Komisari u ka thënë zyrtarëve serbë se në periudhën e ardhshme është me rëndësi të veçantë vazhdimi dhe thellimi i bashkëpunimit rajonal, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Komesioneri për zgjerim Stefan Fuele sot sjell në Beograd listën e propozimeve konkrete të Bashkimit Evropian për temat e negociatave midis Beogradit e Prishtinës.
Duke iu referuar burimeve nga kreu i shtetit serb, e përditshmja "Danas" e Beogradit shkruan sot se në takimin "sy më sy", Fuele do t'ia dorëzojë presidentit serb, Boris Tadiq, listën e temave, ndër të cilat, siç pohohet, "nuk do të ketë surpriza".
Bashkimi Evropian konsideron se dialogu duhet t'i përkushtohet zgjidhjeve të çështjeve praktike, të cilat rëndojnë marrëdhëniet e Beogradit dhe Prishtinës dhe në lidhje me jetën e serbëve në Kosovë.
BE konsideron se statusi i Kosovës nuk duhet të jetë temë e dialogut të Beogradit dhe Prishtinës, i cili do të zhvillohet me mbështetjen e Brukselit, pohon gazeta.