FT: Në bisedime, Kosova humb, Serbia fiton
Prishtinë, 9 mars - Kanë filluar bisedimet e para të drejtpërdrejta në mes të Kosovës dhe Serbisë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia para tri vjetësh, shkruan gazeta prestigjioze londineze The Financial Times (FT).
Pasi jep prononcime të të dy kryenegociatorëve, Edita Tahirit dhe Borko Stefanovic, FT përkujton dështimin e bisedave të viteve 2006-2007, me ndërmjetësimin e Marti Ahtisaarit, të dërguarit special të OKB-së, që shtyri SHBA-të dhe shumicën e vendeve anëtare të BE-së të mbështesin aspiratat shtet-formuese të shqiptarëve të Kosovës.
Kësaj radhe, Kosova ka më shumë ç`të humbë, ndërsa Serbia ç`të fitojë në rrafshin politik, shkruan korrespondenti i FT-së nga Beogradi, duke konstatuar se të dyja palët duan të sigurojnë investitorët e huaj dhe të bashkëpunojnë me perëndimin.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) shpalli në korrikun e vitit të kaluar se deklarata e pavarësisë e Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, përkujton FT, ndërsa thekson se Serbia ka fituar simpati të BE-së me miratimin e rezolutës së përbashkët në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator që bën thirrje për dialog...për të përmirësuar jetën e njerëzve.
Duke ilustruar mospajtimet që do të diskutohen, FT thotë se Serbia refuzon të pranojë vulat doganore me emërtimin Republikë e Kosovës, duke insistuar në referencën UNMIK. Për pasojë, prodhuesit e Kosovës nuk mund të transportojnë mallrat e veta nëpër Serbi. Të dyja shtetet janë pa dalje në det, por Serbia kufizohet me BE-në, shkruan FT.
Sipas gazetës, vula me emërtimin "Kosovë" mund të jetë e pranueshme nga të dyja palët, ka thënë një diplomat kosovar, që nuk përmendet me emër. Duke dhënë një ilustrim tjetër të llojit të kompromisit që mund të gjejnë Kosova dhe Serbia në bisedime, FT thotë se Kosova ka kryesinë e CEFTA-së, një grupi të shteteve të Evropës juglindore që synojnë anëtarësimin në BE.
Zyrtarëve të vendeve të CEFTA-s mund t`u duhet të mbajnë thjesht shenja me emrat e tyre personalë, pa tituj apo emra të shteteve, konstaton gazeta londineze.
Ndër temat për diskutim përfshihen telefonia mobile, aviacioni dhe targat e automjeteve fusha ku pritet të ngrihet çështja e vështirë e sovranitetit, përfundon FT.