Freedom House: Kosova rënie në nivelin e demokracisë
Prishtinë, 28 prill - Organizata Freedom House arrin në përfundimin se udhëheqësit e zgjedhur në Evropën Qendrore dhe Lindore po minojnë vetë institucionet që i sollën ata në detyrë, duke refuzuar normat demokratike dhe duke promovuar sisteme alternative të qeverisjes autoritare.
Sipas raportit të përvitshëm “Vendet në Tranzicion 2021”që merr në shqyrtim zhvillimet e vitit pararendës dhe që u bë publik të mërkurën, lloji më i zakonshëm i regjimit në Ballkan vazhdon të jetë ai hibrid/demokraci në tranzicion. Shqipëria dhe Kosova shënuan rënie në vitin 2020, krahasuar me vitin 2019, ndërsa Maqedonia e Veriut shënoi rritje.
Kosova është në grupin e regjimeve hibride/demokraci tranzicionale. Këtë vit ajo shënoi rënie nga 3.18 në 3:14, në ndryshim nga një vit më herët kur ajo kishte pasur ngritje.
Ulja është bërë në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, që ishte 2.75 pikë në raportin e vitit të kaluar, ndërsa këtë vit është 2.50. Vlerësimet për pavarësinë e gjyqësorit dhe korrupsionin vazhdojnë të jenë të ulëta, 2.50 dhe 2.25 respektivisht, të pandryshuara nga një vit më herët.
Në zonën me 29 vende të Euroazisë dhe të Evropës Qendrore dhe Lindore që mbulon raporti Vendet në Tranzicion, numri i demokracive është më i ulëti që kur doli raporti për herë të parë në vitin 1995.
Në raport vihet theksi tek shenjat e thellimit të autokratizimit në vende si Hungaria dhe Polonia, të cilat ndihmuan në udhëheqjen e tranzicionit më të gjerë drejt demokracisë në vitet 1990.
“Këto nuk janë anomali, por pjesë e një ndryshimi sistematik drejt autoritarizmit në Evropë dhe Euroazi që mund të ketë pasoja globale. Udhëheqësit antidemokratë po mësojnë nga njëri-tjetri se si të konsolidojnë pushtetin dhe të shtypin kundërshtimin politik duke shmangur ndëshkimet nga institucionet ndërkombëtare”, thuhet në raport.
Forca e përgjithshme e demokracisë në rajon ka rënë për 17 vjet rresht, sipas “Vendeve në Tranzicion”.