Franca rikonfirmon mbështetjen për Kosovën
Paris, 26 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot në Paris ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Francës, Laurent Fabius.
Ministri Hoxhaj ka falënderuar shtetin francez për mbështetjen e gjithanshme për Kosovën.
Hoxhaj ka veçuar mbështetjen e madhe të Francës në procesin e konsolidimit shtetëror ndërkombëtar, procesin e integrimeve euroatlantike, sigurimin e njohjeve ndërkombëtare, anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë së fundi edhe në BERZH.
Në anën tjetër, Laurent Fabius, ministër i Punëve të Jashtme i Francës, gjatë takimit ka vlerësuar progresin e gjithanshëm në Kosovë.
Ministri Fabius ka shprehur vullnetin e Francës për thellimin e marrëdhënieve bilaterale me Republikën e Kosovës.
Përveç bashkëpunimit ekonomik, Fabius ka thënë se ekziston mundësia për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin institucional.
Ai po ashtu ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur edhe më tutje Republikën e Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, ministri Hoxhaj ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për përforcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
Kosova është e gatshme për të mirëpritur investitorët francezë. Kompanitë franceze do të gjejnë kushte të volitshme të operimit në Kosovë, ka thënë Hoxhaj.
Ai po ashtu e ka quajtur të rëndësisë jetike angazhimin e ekspertizës franceze në procesin e integrimit euro-atlantik. Shfrytëzoj rastin të ftojë ekspertët francezë të angazhohen në përforcimin e kapaciteteve administrative dhe zbatimin e reformave strukturore, trajnimin e kuadrove të Qeverisë, tha ai.
Lidhur me procesin e njohjes së Kosovës, Hoxhaj ka theksuar se ky është një proces i vazhdueshëm dhe vital për konsolidimin dhe fuqizimin e shtetësisë së Kosovës.
Presim nga Franca që të vazhdojë përkrahjen në këtë drejtim, tha Hoxhaj.
Një vëmendje e posaçme gjatë takimit ndërmjet dy ministrave i është kushtuar procesit të integrimeve evropiane të Kosovës.
Hoxhaj e ka njoftuar homologun francez për agjendën evropiane, progresin e arritur për fillimin e negociatave për nënshkrimin e MSA-së si dhe përgatitjet për liberalizimin e vizave.
Për Kosovën, agjenda evropiane nuk është vetëm agjendë integruese por edhe reformuese, tha Hoxhaj, duke njoftuar ministrin Fabius për përmbushjen konkrete të kritereve të përcaktuara nga Komisioni Evropian.
Paralelisht me MSA-në, Kosova pret të avancojë në procesin e liberalizimit të vizave, i cili do të nxirrte nga izolimi i pamerituar qytetarët e Kosovës, tha Hoxhaj, duke shtuar se njohja nga pesë vendet e BE-së, do të lehtësonte rrugën integruese të Kosovës si dhe do të forconte politikën e jashtme të BE-së.
Hoxhaj ka njoftuar homologun francez edhe për avancimin e marrëdhënieve me Këshillin e Evropës, duke theksuar se anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare mbetet një ndër prioritetet më të rëndësishme të Republikës së Kosovës.
Edhe ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Laurent Fabius, ka shprehur mbështetjen e Parisit për proceset integruese të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar.
Gjatë takimit, Fabius dhe Hoxhaj kanë të diskutuar edhe rreth dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i ndihmuar nga baronesha Catherine Ashton.
Ministri Hoxhaj sot është takuar edhe me Paul Jean-Ortiz, këshilltar për diplomaci i presidentit francez, François Hollande. Në këtë takim, Hoxhaj ka marrë përkrahjen e presidentit Hollande për Republikën e Kosovës.
Gjatë ditës, Hoxhaj do të ketë një prezantim edhe para Komisionit për Politikë të Jashtme, të Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Senatit francez si dhe do të mbajë një ligjëratë në Akademinë Diplomatike të Francës.