Franca përshëndet mbarëvajtjen e zgjedhjeve
Paris, 6 nëntor - Franca përshëndet mbarëvajtjen e përgjithshme të raundit të parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura në Kosovë më 3 nëntor 2013. Këto ishin zgjedhjet e para lokale të organizuara në gjithë territorin e Kosovës.
Niveli i pjesëmarrjes ishte përgjithësisht i kënaqshëm, gjithashtu edhe në komunat serbe të jugut të Kosovës. Kjo është një shenjë e pranimit gjithnjë e më të madh të institucioneve të Prishtinës nga komuniteti serb. Ky është një hap pozitiv për demokracinë në Kosovë.
Nëpër mjet një deklarate të zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, bëhet e ditur se mbarëvajtja e përgjithshme e këtyre zgjedhjeve u takon të gjitha palëve, në Beograd ashtu dhe në Prishtinë, të cilët kanë favorizuar pjesëmarrjen e mirë të votuesve në këto zgjedhje. Ajo i takon shumë edhe rolit të lehtësuesit i cili i ishte dhënë OSBE-së në katër komunat në veri të Kosovës. Kjo është poashtu fakt i angazhimit të Unionit Evropian dhe misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve që ka ardhur me këtë rast.
\"Megjithatë, Franca dënon dhunën e ushtruar nga një pakicë e radikalëve që janë kundër normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pak para mbylljes së disa vendvotimeve në komunën e Mitrovicës së Veriut. Ajo dëshiron që të ndriçohen këto incidente, të cilët u kanë penguar disa qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre civile dhe politike\", thuhet në komunikatë.
Franca përgëzon Përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Unionit Evropian, znj. Catherine Ashton, e cila pret, sot më 6 nëntor, në Bruksel, drejtuesin e qeverisë kosovare dhe drejtuesin e qeverisë serbe për të diskutuar për vazhdimin e procesit zgjedhor dhe implementimin e tërësishëm të marrëveshjes së arritur më 19 prill.
Normalizimi i raporteve ndërmjet dy shteteve, për të cilin Franca bën thirrje, duhet të vazhdojë me vendosmëri.