Franca kundër hyrjes së Bullgarisë dhe Rumanisë në Shengen
Paris, 6 mars - Franca është deklaruar kundër hyrjes së Bullgarisë dhe Rumanisë në hapësirën Shengen, shkruan gazeta Trud në Sofje. Autoritetet franceze kërkojnë që pranimi i këtyre dy vendeve të shtyhet në një afat të pacaktuar.
Raportuesit francez të Komisionit Europian, Didier Kenten dhe Zheron Lamber kanë dorëzuar një rezolutë pranë Parlamentit francez për shtyrjen e anëtarësimit në hapësirën shengen të këtyre dy vendeve. Me një qëndrim të njëjtë është deklaruar edhe Gjermania.
Dy vendet ballkanikë nuk janë të përgatitur për t`u bashkuar me zonën e 25 vendeve pa kufij të Europës, kështu që pranimi i tyre do të ishte "i papjekur", këmbëngulën ministrat e brendshëm francez dhe gjerman në një letër për Komisioneren e Punëve të Brendshme të BE-së Sesilia Malmstrom.
Bullgaria dhe Rumania, që u bashkuan me BE-në në janar 2007, nuk kanë arritur që të trajtojnë dobësitë në sistemet gjyqësorë të tyre dhe nuk kanë treguar përparim të prekshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, argumentuan ata.
Zona Shengen, e quajtur me këtë emër sipas një qyteti në Luksemburg, përfshin të gjithë vendet e BE-së, me përjashtim të Britanisë, Bullgarisë, Qipros, Irlandës dhe Rumanisë, si dhe vendet jo-anëtare të BE-së, Islandën, Norvegjinë dhe Zvicrën.
Të pranuarit e rinj duhet të miratohen nga të gjithë anëtarët. Bullgaria dhe Rumania shpresonin që të bashkoheshin me zonën Shengen në mars 2011, gjë që do t`i bënte ata pjesë të kufijve të jashtëm të BE-së.