Franca inicion krijimin e një njësie ushtarake ndërkombëtare
Paris, 5 prill - Franca është duke punuar që të ngrejë një njësi ushtarake për përballimin e krizave, e cila pritet të fillojë ekzistimin që nga qershori i ardhshëm.
Lajmin e kanë bërë të ditur burime pranë Ministrisë franceze të Mbrojtjes, sipas të cilave për këtë nismë Parisi zyrtar ka qenë në kontakt me qeveritë e një sërë vendesh, përfshirë Gjermaninë, Holandën, Britaninë dhe Danimarkën, me të cilat ka ngritur edhe një grup pune.
Kjo njësi ushtarake do të funksionojë paralelisht me ato ekzistuese të Bashkimit Europian, ndërsa, synimi i këtij projekti është bashkimi i vendeve me kapacitete ushtarake dhe vullnet politik për të bashkëpunuar për përgatitjen e njësisë, hartimin e analizave të përbashkëta për situatat e krizës dhe reagimin e shpejtë të trupave taktike.
Njësia nuk pritet të jetë ekskluzivitet vetëm i vendeve të Bashkimit Europian, por edhe vende jashtë Unionit, si për shembull Britania, mund t’i bashkohen asaj.