Franca goditet nga dy tërmete prej 5 ballësh
Paris, 17 qershor - Një pasgoditje me magnitudë 5,0 ballë Rihter është ndjerë në orët e para të mëngjesit të sotëm në Deux-Sèvres, në perëndim të Francës, pas goditjes së parë prej 5,3 ballësh pasditen e djeshme.
”Një tërmet me magnitudë 5,0 ballë u ndje mëngjesin e sotëm në orën 04:27 në të njëjtën zonë të #DeuxSevres”, tha prefektura në një deklaratë sot në mëngjes.
“Zjarrfikësit janë mobilizuar dhe kryejnë aksione zbulimi, për t’iu përgjigjur thirrjeve dhe për të kontrolluar gjendjen e ndërtesave, veçanërisht ato të dëmtuara gjatë tërmetit të parë”, shtoi prefektura e Deux-Sèvres.
Për momentin nuk ka viktima apo dëme të rënda, por banorët, të pushtuar nga paniku ditën e djeshme, janë këshilluar që të qëndrojnë larg objekteve në rrezik shembjeje.
Tërmeti i fundit me magnitudë më të madhe se 5,0 ballë në Francë daton në vitin 2019./ a.jor.