"Foreign Policy": Banditokracia e Kosovës
New York, 19 shkurt - Revista prestigjioze "Foreign Policy" e SHBA-së, që në numrin e saj më të ri vendos në krye shkrimin e gjatë me titullin "Banditokracia".
"Mendoni se Mubaraku ishte i keq? Liderët e Kosovës akuzohen për trafikim organesh e tregti me drogë. SHBA-të mbyllin sytë", është paragrafi i parë i shkrimit nga Whit Mason dhe Bronwyn Healy- Aarons.
Aty fillimisht përshkruhet fakti sesi Kosova në këta tre vjet "nuk ka kodin e saj postal as telefonik, nuk mund të ketë një IP adresë të veten, sportistët e saj nuk marrin pjesë në ngjarje sportive ndërkombëtare, mijëra trupa të NATO-s ende shërbejnë si paqeruajtës, kosovarët mund të udhëtojnë pa viza në vetëm 5 shtete, duke përfshirë Haitin dhe me vetëm 75 njohje nga 192, Kosova mbetet një shtet gjysmë-sovran".
Çështja kryesore që shtron artikulli është përkrahja që u jep SHBA-ja liderëve autokratë në botë, duke përfshirë edhe vendosjen e "të fortëve" në krye të një demokracie të re siç është Kosova.
"Kryeministri Thaçi është nën akuza për trafikim organesh, lideri opozitar Ramush Haradinaj gjendet në Hagë me akuza për krime lufte, Ministri i Transportit Fatmir Limaj u bastis me dyshime për keqpërdorimin e milionave të buxhetit, ndersa Guvernatori i Bankës Qendrore u arrestua me akuza për evazion fiskal, korrupsion dhe pastrim parash", kujton Foreign Policy.
Dhe, kthehet për të analizuar rolin e SHBA-së.
"Teksa SHBA-ja përballej me pafuqinë për të pasur ndikim në largimin e regjimeve në Tunis dhe Kajro, në fakt ajo e ka fuqinë për të ndikuar në ndryshime dhe për të promovuar një qeverisje më transparente dhe të përgjegjshme në Prishtinë, ku një grup i liderëve banditë, pasardhës të UÇK-së, që akuzohet për krime lufte e tregti me armë, tashme po e udhëheqin këtë vend. Por, deri më tani, Ëashingtoni nuk ka pasur vullnet që të bëjë presionin e nevojshëm tek liderët kosovarë dhe mosvullneti për ta bërë këtë rrezikon investimin miliardësh duke e çuar shtetin drejt banditokracisë", shkruan FP.
Madje, sjellja e "çuditshme" amerikane ilustrohet me disa shembuj interesantë.
"Në vitin 1999, mbështetja amerikane për Thaçin si një hero u kurorëzua me një puthje në faqe nga ana e ish Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright, pas intervenimit të saj në Kosovë. Në vitin 2004, secili pjesëtar i stafit të SHBA-së u ftua në dasmën e Haradinajt, dhe përkundër lidhjeve të tij me krimin e organizuar dhe pritjes së një akuze për krime lufte, të gjithë shkuan në dasmë. Së fundi, një natë pas bastisjeve në zyret dhe shtëpitnë e Limajt, ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell u pa duke qeshur dhe biseduar me ministrin në një aheng të madh në Prishtinë".
Revista ka një mesazh për administratën amerikane.
"Parimi kryesor në ndihmën për ndërtimin e demokracive të reja, duhet të jetë mbështetja e kushteve për të mos lejuar asnjë që të veprojë mbi ligjin. Madje edhe në një vend si Kosova, ku ndikimi perëndimor është aq i madh, krijimi i hapësirës për aktivitete jashtëligjore, fshin gjithçka tjetër që është arritur edhe me intervenimin më ekstravagant", përfundon shkrimi.