Finlanda anëtarësohet nesër në NATO
Bruksel, 3 prill - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se Finlanda do të bëhet zyrtarisht anëtarja më e re e aleancës ushtarake të NATO-s ditën e nesërme.
“Anëtarësimi i Finlandës në NATO të martën “do të jetë një ditë e mirë për sigurinë e Finlandës, për sigurinë nordike dhe për NATO-n në tërësi”, theksoi Stoltenberg.
Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, Finlanda dhe Suedia kërkuan menjëherë anëtarësimin në aleancë, duke iu trembur një sulmi të mundshëm dhe ndaj tyre. rusia e ka kundërshtuar me forcë këtë gjë, madje duke kërcënuar se ato do të kthehn në shënjestër të Kremlinit.
Teksa Finlanda po përgatitet për orët e fundit fundit që e ndajnë nga anëtarësimi zyrtar në NATO, ka ardhur dhe reagimi i Rusisë për këtë vendim.
Nëpërmjet një deklarate, zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandër Grushko, ka deklaruar se do të shtohet prezenca ushtarake ruse në Perëndim. Reagimi është raportuar nga agjencia e lajmeve RIA Novosti, ndërsa nuk dihet nëse do ketë reagim edhe nga presidenti Vladimir Putin.
“Federata Ruse do të forcojë potencialin e saj ushtarak drejt Perëndimit dhe Veriperëndimit në përgjigje të hyrjes së Finlandës në NATO ”- thuhet në deklaratë.