Fillon zyrtarisht tranzicioni i pushtetit presidencial në SHBA
Washington, 24 nëntor - Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pranuar që të fillojë një tranzicion zyrtar i pushtetit dhe që presidenti i zgjedhur, Joe Biden, të marrë detyrën.
Presidenti tha se agjencia federale që mbikëqyr procesin e transferimit të pushtetit presidencial duhet të "bëjë atë që duhet të bëhet". Megjithatë, ai u zotua se do të vazhdojë të kundërshtojë humbjen e tij në zgjedhje.
Më parë, Emily Murphy, administratorja e Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme (GSA), njoftoi Bidenin se tranzicioni i tij përpara inaugurimit të 20 janarit mund të fillonte zyrtarisht.
Trump tha se ky proces është "në interesin më të mirë të vendit".
"Unë jam duke rekomanduar që Emily dhe ekipi i saj të bëjnë atë që duhet bërë në lidhje me protokollet fillestare, dhe i kanë thënë ekipit tim të bëjë të njëjtën gjë", shkroi Trump në Twitter.
Pas njoftimit të GSA-së, Pentagoni tha se do të siguronte "mbështetje për ekipin e Bidenit në një mënyrë profesionale, të rregullt dhe efikase që i përshtatet pritjeve të publikut për Departamentin dhe angazhimit tonë për sigurinë kombëtare".
Administratorja Murphy tha se ajo po vinte 6.3 milion dollarë fonde në dispozicion të presidentit të zgjedhur.
Vendimi për transferimin e pushtetit do të thotë që ekipi i Biden më në fund mund të fitojë qasje në agjencitë federale, të komunikojë me zyrtarë dhe të përdorë paratë e financuara nga taksapaguesit për të ndihmuar një tranzicion të qetë. Vendimi gjithashtu lejon që Biden dhe zëvendëspresidentja e zgjedhur, Kamala Harris, të marrin informacione të rregullta të sigurisë kombëtare, të cilat i pranon edhe Trump.
Zhvillimet ndodhën pasi shteti i Miçiganit certifikoi fitoren e Bidenit, që shënoi një goditje e madhe për Trumpin.
Ekipi i Bidenit mirëpriti fillimin e procesit të tranzicionit, ndërsa presidenti i zgjedhur demokrat përgatitet të betohet më 20 janar.
"Vendimi i sotëm është një hap i nevojshëm për të filluar trajtimin e sfidave me të cilat përballet kombi ynë, duke përfshirë vendosjen e pandemisë nën kontroll dhe ekonominë tonë përsëri në rrugën e duhur", tha një deklaratë ekipi i Bidenit.
Vendimi për fillimin zyrtar të tranzicionit presidencial tregon se përpjekjet e Trumit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit mbase po i afrohen fundit.
Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara janë mbajtur më 3 nëntor. Ato u fituan nga kandidati demokrat, Joe Bide, mirëpo presidenti aktual, Donald Trump (republikan), ka refuzuar të pranojë rezultatin në disa shtete duke pretenduar - pa prova - se zgjedhjet ishin te manipuluara. Mirëpo, sfidat ligjore të ekipit të Trumpit nuk kanë pasur sukses në shumicën e rasteve.
Së fundi në mesin e republikanëve janë shtuar zërat se presidenti Trump do të duhet të pranojë një tranizicion të pushtetit.
Të hënën më herët, senatori nga Tenesi, Lamar Alexander që është në përfundim të mandatit dhe ka bërë vazhdimisht thirrje për fillimin e tranzicionit, lëshoi një deklaratë të re duke thënë që zoti Trump duhej "të vinte vendin në para së gjithash" dhe të ndihmonte administratën e zotit Biden të ketë sukses.
Senatori Republikan Rob Portman nga Ohajo i bëri thirrje të hënën Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme që të vinte në dispozicion paratë dhe personelin e nevojshëm për tranzicionin.
Ndërkohë më shumë se 100 ish-zyrtarë republikanë thanë në një deklaratë se "refuzimi i Trumpit për të pranuar dhe lejuar një tranzicion të rregullt përbën një kërcënim serioz" për procesin demokratik të SHBA-së. Zyrtarët që nënshkruan letrën kanë shërbyer për katër presidentë republikanë, përfshirë Trumpin.
/rel/