Fillon procesi i heqjes së sanksioneve të BE kundër Iranit
Bruksel, 20 janar - Sot fillon procesi i anulimit gradual i sanksioneve të BE kundër Iranit.
Gazeta Wall Street Journal duke shkruar në lidhje me këtë çështje thekson se heqja e kufizimeve për shërbimet e siguracioneve për tankerët që transportojnë naftën e Iranit dhe shtimi i shumës tavan për dërgimin e parave në Iran, është hapi i parë i procesit të heqjes së sanksioneve të BE kundër Iranit.
Në bazë të marrëveshjes së Gjenevës që u nënshkrua me 24 nëntor, sanksionet ndaj industrisë petrokimike të Iranit janë hequr plotësisht, ndërsa gradualisht do të hiqen edhe sanksionet ndaj siguracioneve dhe transportit të naftës.
Në këtë kuadër është parashikuar që Irani të ketë qasje edhe në një pjesë të të ardhurave të naftës. Gjithashtu janë hequr sanksionet ndaj industrisë së automobilave si dhe ndaj floririt dhe metaleve të çmuara. Procesi i anulimit të sanksioneve është diskutuar gjerësisht në takimet e ekspertëve të Iranit dhe Grupit 5+1 ku janë zhvilluar bisedime intensive dhe në përfundim data 20 Janar është caktuar si fillim i zbatimit të fazës së parë të marrëveshjes së Gjenevës. Në këtë kuadër inspektorët e ANEA kanë arritur në Teheran për zgjerimin e bashkëpunimit me Iranin dhe për të shpallur gatishmërinë e Teheranit për fillimin e zbatimit të marrëveshjes së Gjenevës.
Pas konfirmimit të ekspertëve të ANEA, ministrat e jashtëm të BE do të mblidhen në Bruksel ku do të firmosin zyrtarisht autorizime për reduktimin e sanksioneve kundër Iranit. Pritet që gjatë një periudhe gjashtë mujore marrëveshja e Gjenevës të zbatohet plotësisht, ndërsa do të vazhdojnë bisedimet për një marrëveshje përfundimtare që do të shënojë edhe zgjidhjen e dosjes bërthamore të Iranit.
Njëkohësisht me heqjen graduale të sanksioneve ndaj Iranit, evropianët po bëjnë përpjekje për të nënshkruar marrëveshje ekonomike me Iranin. Kompanitë franceze Peugeot-Citroen dhe Renault, kompania Airbus janë disa nga kompanitë që janë shprehur të gatshme të rikthehen në Iran.
Edhe kompanitë më të mëdha perëndimore të naftës kanë shprehur gatishmërinë për tu rikthyer në industrinë e naftës së Iranit. 20 Janari dhe fillimi i procesit të zbatimit të marrëveshjes së Gjenevës mund të jetë pikënisja e një bashkëpunimi të ri ekonomik dhe tregtar mes RII dhe BE. Ky bashkëpunim do të konfirmojë rezultatin fitore-fitore të marrëveshjes së Gjenevës.