Fernando Gentilini zëvendëson Pieter Feith-in
Bruksel, 6 maj - Diplomati italian Fernando Gentilini është emëruar përfaqësues i përkohshëm i BE-së në Kosovë, duke zëvendësuar Pieter Feith.
Gentilini do ketë një mandat tremujor. Ai do të zëvendësojë Pieter Feithin, të cilit më 30 prill i skadoi mandati i përfaqësuesit të posaçëm të BE-së.
Në të njëjtën kohë, Gentilini do të jetë edhe shef i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë.
Brukseli ka vendosur që emisari i ri të ketë mandat kalimtar për shkak se shtetet anëtare ende nuk janë pajtuar rreth riorganizimit të pranisë evropiane në Kosovë.
Por, edhe 13 kandidatët që kanë konkurruar në këtë post nuk kanë ndonjë peshë politike, por janë kryesisht ambasadorë të BE-së dhe deputetë të Parlamentit Evropian, njoftoi korrespondentja e RTK-së nga Brukseli.
Aktualisht, Gentilini është një nga këshilltarët për Ballkanin në Sekretariat të BE-së dhe është i përfshirë edhe në dialogun për çështje teknike ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Ai ka punuar në Kosovë në vitin 2004 dhe 2005, si përfaqësues personal i Javier Solanës.
Gentilini ka filluar karrierën në shërbimin diplomatik të Italisë në vitin 1990, ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i NATO-së në Afganistan.