Feith: Përparimi i Shqipërisë, model për Kosovën
Tiranë, 13 maj - -Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICO), Peter Feith vlerësoi sot se përparimi i madh i Shqipërisë, integrimi në NATO dhe rrugëtimi evropian duhet të shërbejnë si model për Kosovën.
Feith i bëri këto deklarata në Tiranë pas një takimi që pati me Presidentin e Republikës Bamir Topi.
Zyra për shtyp e Presidentit shqiptar njofton se kreu i shtetit shqiptar i vuri në dukje Feith vullnetin e plotë dhe angazhimin serioz të shtetit shqiptar për të përmbushur me sukses të gjitha detyrimet, që burojnë nga apirata dhe përpjekjet për realizimin e ëndrrës të të gjithë shqiptarëve për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane.
Në vijim të bisedës, Kreu i Shtetit shqiptar u ndal dhe në situatën në rajonin e Ballkanit dhe në veçanti vlerësoi arritjet e Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë dhe ecurinë e deritanishme të procesit të njohjes së saj. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohjet e mëtejshme të pandalshme, - vuri në dukje Presidenti.Gjithashtu, Presidenti Topi u shpreh se Shqipëria vlerëson dhe mbështet institucionet e Republikës së Kosovës, përkushtimin dhe angazhimin e autoriteteve zyrtare për të bashkëpunuar me praninë ndërkombëtare në Kosovë, me synim konsolidimin e shtetit, forcimin e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të saj.
Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Peter Feith shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin në emër të Kosovës dhe popullit kosovar për mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria ka dhënë, sidomos gjatë procesit të njohjeve ndërkombëtare.
Përpjekjet profesionale të qeverisë tuaj, ne i vlerësojmë jashtëzakonisht shumë për rritjen e numrit të njohjeve të reja, theksoi zoti Feith.
Më tej ai nënvizoi faktin se: Një tjetër fushë ku Kosova pret shumë nga Shqipëria është fusha dhe bashkëpunimi më i ngushtë ekonomik.