Feith: Nuk ndikoj në ndryshimet kushtetuese
Prishtinë, 21 prill - Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith, deklaroi se nuk do të ndikojë në ndryshimet kushtetuese të cilat pritet të bëhen në Kosovë.
Ai tha se i takon Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesve të qytetarëve të Kosovës në Kuvend, që të marrin vendimet përfundimtare lidhur me ndryshimet kushtetuese.
Megjithatë, ai theksoi rëndësinë që gjatë amandamentimit të aktit më të lartë shtetëror të vendit, të forcohet pozita e femrës dhe të mos ndikohen të drejtat e komuniteteve.
Komentet e tij për këtë çështje, diplomati holandez i bëri gjatë një ligjërate të mbajtur para nxënësve të shkollës së mesme Sami Frashëri në Prishtinë ku, në cilësinë e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian në Kosovë, foli edhe për çështjet që ndërlidhen me të ardhmen evropiane të vendit.
Ajo çka duhet të bëjmë tani është të shikojmë drejt së ardhmes. Të punojmë drejt pajtimit me fqinjët e Kosovës por edhe në mes të komuniteteve brenda Kosovës dhe kjo mund të bëhet vetëm nga ju, gjenerata e re. Kjo më përkujton përvojën nëpër të cilën kemi kaluar ne në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, pas vitit 1945, në kohën e gjeneratës sime", ka theksuar ai.
Pak vite pas luftës, burrështetasit e Evropës sipas tij filluan të punojnë drejt pajtimit dhe kjo punë e tyre solli deri te themelimi i Bashkimit Evropian. Burrështetasi francez Robert Schuman ishte nismëtari që ia shtriu dorën e pajtimit ish armikut gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjermanisë, dhe si rezultat i këtij gjesti lindi Bashkimi Evropian.
Në fillim ky pajtim ishte vetëm mes Francës dhe Gjermanisë por pastaj gjithnjë e më shumë vende shprehën dëshirën që ti bashkohen këtij projekti .
Është po ashtu me rëndësi që ju të keni më shumë liri të lëvizjes, përfshirë edhe lirinë për të udhëtuar pa viza në Evropë, që të mund të promovojmë tregtinë dhe investimet ekonomike përtej kufijve, që të mund të hapim vende pune dhe të krijojmë më shumë prosperitet për qytetarët e Kosovës. Këto janë sfidat në të cilat juve do tiu duhet të punoni. Por ju do të mbështeteni dhe ndihmoheni nga miqtë tuaj evropianë në Bruksel dhe gjetiu.
Pas dy javësh unë do të dorëzoj mandatin e EUSR-së. Deri tani kam punuar këtu bashkë me ZNKE-në dhe EULEX-in për forcimin e sundimit të ligjit dhe besoj se kemi vënë themelet për të ardhmen evropiane të Kosovës. E gjithë kjo është bërë me mbështetjen e të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Por unë do të vazhdojë punën time në Kosovë si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, për të vazhduar punën në krijimin dhe forcimin e karakterit shumetnik të demokracisë kosovare.
Feith ka pohuar se Kosova do të jetë një partner stabil dhe produktiv i rajonit dhe i Bashkimit Evropian. Dhe ju si gjeneratë e re do të jepni kontributin tuaj për mirëqenien dhe prosperitetin e popullit të Kosovës.