10 Janar 2025

Feith: Ndarja e Kosovës do të destabilizonte rajonin

Prishtinë, 23 shtator - Ish shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare Pieter Feith ka thënë se Qeveria dhe komuniteti ndërkombëtarë nuk kanë bërë mjaft për trajtimin e problemeve ekonomike në Kosovë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës Feith tha se ndarja e Kosovës do të sillte një destabilitet në rajon.

Feith u shpreh kundër ndarjes së Kosovës duke thënë se zgjidhja e çështjes së veriut duhet bërë në bazë të Planit Ahtisari.

\"Vendet, të cilat e mbështesin Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, Turqia, Zvicra dhe Norvegjia e kundërshtojnë me vendosmëri ndarjen. Është një opsion për të cilin nuk duhet të shpenzojmë shumë energji.\"

\"Nëse do të ketë ndarje, ajo do të jetë shumë destabilizuese për mbarë rajonin, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë, sepse do të vihet në pikëpyetje Lugina e Preshevës dhe natyrisht ndarja mund të jetë destabilizuese edhe për Maqedoninë\", shtoi ai.

Për ish shefin e zyrës civile ndërkombëtare në Kosovë zgjidhja e vetme për veriun është zbatimi i plotë i planit të Ahtisarit.

\"Zgjidhja politike për veriun duhet të gjendet brenda parametrave të planit Ahtisari. Plani Ahtisari është shumë specifik në lidhje me të drejtat e komuniteteve përfshirë komunitetin serb dhe ne kemi bërë përparime të mira në fuqizimin e komunitetit serb në jug të lumit Ibër dhe e njejta gjë mund të bëhet për sërbet në veri të lumit Ibër.\"

\"Unë gjithashtu do të thoja se është e rëndësishme që gradualisht të vendoset qeverisja dhe të vendosen lidhjet administrative mes Prishtinës dhe komunitetit në veri\", shtoi Feith.

Në lidhje me korrupsionin ai tha se qeveria duhet t’i dyfishojë përpjekjet kundër kësaj dukurie që mund të shkaktojë vështirësi në përpjekjet për anëtarësim në BE .

\"Sipas mendimit tim, korrupsioni ushqehet nga shumë faktorë por një ose dy faktorë mund të identifikohen. Njëri prej faktorëve është varfëria që është një problem i madh në Kosovë. Dyzet për qind e popullsisë janë nën nivelin e varfërisë, punësimi nuk është i mjaftueshëm, papunësia është e lartë dhe rrogat e punonjësve të sektorit publik janë shumë të ulëta. Prandaj, nëse një gjykatës ose një polic fiton një shumë të caktuar parash me të cilën ka vështirësi ta ushqej familjen atëherë tundimi do të jetë aty\", ka theksuar Feith.

Së dyti sipas tin në situatat pas konfliktit udhëheqësit e rezistencës, në këtë rast udhëheqësit e UÇK-së, kanë përvetësuar pozitat kryesore në shtetin e ri.

\"Unë mendoj se ky problem duhet të rishqyrtohet.  Duhet të vijë një brez i ri i kosovarëve të rinj të cilët gradualisht duhet të marrin drejtimin e vendit dhe unë pres nga ata zbatim të plotë të rregullave dhe normave të sjelljes morale dhe etike. Pra, ka shpresë. Qeveria duhet të jetë plotësisht e angazhuar në këtë fushë. Dhe unë e shoh që me ardhjen e brezave të rinj gjërat do të përmirësohen\", është shprehur ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)