Feith: Mbetem i gatshëm që ta ndihmojë Qeverinë e Kosovës
Prishtinë, 31 janar - Në takimin e tij në Vjenë më 24 janar, Grupi Drejtues Ndërkombëtar e ka miratuar një proces të qartë për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur në Kosovë, në përputhje me kushtet e Planit Gjithëpërfshirës për Statusin (PGJS) të Presidentit Ahtisaari.
Në Vjenë, Kryeministri është zotuar për zbatimin e PGJS-së dhe përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur.
Me një shumicë dërmuese Kuvendi sot e miratoi një rezolutë që ndihmon në përcaktimin e hapave të mëtejmë që janë para nesh për të arritur këtë synim kombëtar.
ICR-ja, Pieter Feith, në një deklaratë pas miratimit të rezolutës së Kuvendit për përfundiminë e pavarësisë së mbikqyrur e ka mirëpritur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës dhe të gjitha partive parlamentare për të filluar shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese si dhe të amendamenteve të legjislacionit primar relevant të nevojshëm për përfundimin e mandatit tim dhe për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur.
"Unë po ashtu mbetem i gatshëm që ta ndihmojë Qeverinë në punën e saj, në konsultim të ngushtë me udhëheqësit e Kuvendit, për të siguruar zbatimin e plotë të PGJS-së në mënyrë që kur Grupi Drejtues Ndërkombëtar të takohet më vonë gjatë këtij viti të jetë në gjendje ta bëjë konstatimin që na mundëson finalizimin e procesit", ka theksuar Feith.
Ai ka dekaluar se pajtohet plotësisht me thirrjen që bëhet në rezolutë për unitet në mesin e popullit, forcave politike dhe udhëheqësve të tyre në ecjen tonë përpara.
"Besoj se kjo duhet zbatuar në të dy drejtimet në zbatimin e plotë të PGJS-së dhe në përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur."
"Nëse konsensusi kombëtar ruhet gjatë gjithë kësaj kohe, kjo do të dërgonte një mesazh të fuqishëm për qëndrueshmërinë e reformave dhe zbatimin e tyre, dhe rrjedhimisht do ta forconte reputacionin dhe kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës si një shtet modern evropian", ka pohuar Feith.