Feith: Largohemi kur të zbatohet pakoja Ahtisari
Prishtinë, 5 maj - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi takoi përfaqësuesin civil ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith, me të cilin u diskutua për hapat e mëtejmë në situatën e re të krijuar.
Kryeministri Thaçi me këtë rast theksoi se, ne do të punojmë bashkërisht për implementimin e plotë të dokumentit të presidentit Ahtisaari, për integrimin edhe më të fuqishëm të të gjitha komuniteteve në institucionet dhe shoqërinë kosovare, në procesin e demokratizimit të Kosovës dhe implementimit të reformave demokratike për të përmbyllur suksesshëm procesin e pavarësisë së mbikëqyrur në kuadër të agjendës evropiane të Republikës së Kosovës.
Ky bashkëpunim do të jetë i ngushtë dhe me besim të plotë i suksesit, prandaj, do të vazhdojmë me agjendën e paraparë, që është agjendë e përbashkët e Qeverisë së Kosoëvs dhe mekanizmave ndërkombëtarë.
Ndërkaq, Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare Pieter Feith,e ka bërë të qartë sot se misioni i mbikëqyrjes së pavarësisë, nuk mund të përfundoj pa zbatimin e plotë të planit të Ahtisarit.
Unë do të bashkëpunoj shumë ngushtë me qeverinë për jetësimin e mëtejmë të planit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit. Plani i Ahtisaarit, siç e dini, është projekti për një Kosovë moderne, efektive, funksionale, shumetnike e demokratike, të njohur nga të gjitha shtetet e botës e që ecë përpara me vendosmëri drejt perspektivës evropiane dhe kultivimit të një bashkëpunimi të mirëfilltë, theksoi Feith.
Ai me tutje tha se Ne gjatë muajit të ardhshëm do ta mbajmë takimin e radhës të Grupi Drejtues Ndërkombëtarë për Kosovën, dhe shpresojmë që do të prezantojmë progres, pasi qëllimi është ky sa më shumë qe arrihet përparim në zbatimin e planit të Ahtisarit, ne më lehtë do të bindim vende anëtare të këtij Grupi se pavarësisë së mbikëqyrur po i vjen fund.
Ai theksoi se nuk mund të japte data se kur përfundon misioni i mbikëqyrjes por insiston që të arrihet përparim, nëse kosovarët duan që pavarësinë të mos e mbikëqyrin ndërkombëtarët.