Feith: Kosova ka të drejtë të kontrollojë territorin
Prishtinë, 10 gusht - Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovës (ICO) Pieter Feith ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka plotësisht të drejtë të përpiqet të marr kontrollin në tërë territorin e Kosovës.
Feith, ka sqaruar se marrja nën kontroll e tërë territorit nuk është çështje që ka të bëjë vetëm me funksionimin e ligjit dhe ruajtjen e pikave kufitare, por ka të bëjë edhe me sigurimin e komunitetit serb, që të ndjehen të mirëseardhur dhe të ndjehen mirë në mjediset ku ata jetojnë.
Duke iu referuar bllokadave të rrugëve në Veri të Kosovës, Piter Feith u ka bërë thirrje të gjithëve që të respektojnë marrëveshjet e arritura ditë më parë mes KFOR-it, autoriteteve të Prishtinës dhe serbëve.
Unë do t`i bëja thirrje të gjithëve që t`i respektojnë ato që janë arritur me përpjekjen e zotit Buhler mes përfaqësuesve serbë dhe autoriteteve të Prishtinës dhe të gjitha kushtet që janë në këtë marrëveshje mirëkuptimi të zbatohen sa më parë që të jetë e mundur, ka theksuar Feith.
Ndërkaq në pyetjen se çfarë do të bëhet me personat e armatosur që janë në veri, Feith ka rikujtuar edhe njëherë se përdorimi i forcës dhe dhuna është e patolerueshme.
Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shmangin dhunën e përdorimin e forcës dhe të respektojnë sundimin e ligjit. Kam besim se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të përkrahë të drejtat e çdo qytetari në Kosovë, pa marrë parasysh se çfarë përkatësie është, po ashtu jam shumë i bindur se mirëkuptimi që është arritur me ndihmën e gjeneralit Buhler do të vazhdojë të jetë në fuqi në mënyrë që t`i përmirësojë gjerat atje, të mbajë situatën e qetë dhe të gjitha palët të punojnë të relaksuara, sapo të vazhdojë dialogu i nisur, i cili do të rifillojë më 5 shtator, u shpreh ai.