Feith dënon bllokimin e rrugëve të planifikuara nga Vetvëvendosja
Prishtinë, 12 janar - "Bllokimi i paraparë i dy pikëkalimeve kufitare nga Vetëvendosja as nuk do ta ndihmojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës dhe as nuk do tu ndihmojë përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë", ka thënë sot Përfaqësuesi Civil ndërkombëtar (ICR) Pieter Feith.
Plani i Vetëvendosjes për ti bllokuar pikëkalimet kufitare me Serbinë në Merdar dhe te Dheu i Bardhë të shtunën më 14 janar sipas Feith nuk do të jetë i dobishëm për përpjekjet e Qeverisë, shoqërisë civile dhe bashkësisë ndërkombëtare për të zhvilluar marrëdhënie normale dhe fqinjësore midis Serbisë dhe Kosovës.
Kjo sipas tij nuk është një sjellje e përgjegjshme nga ana e një organizate e cila është e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.
"Nëse veprimi i Vetëvendosjes realizohet, ky do ta dëmtojë reputacionin ndërkombëtar të Kosovës, ndërkohë që do të demonstrohet mungesë e respektimit të njërës nga vlerat thelbësore të Europës, që është liria e qarkullimit të mallrave dhe njerëzve."
"Kosova ka përfituar dobi praktike për qytetarët e saj për shkak të angazhimit të saj konstruktiv në dialogun e ndihmuar nga BE-ja. Këto rezultate rrezikojnë të minohen nga aksioni i Vetëvendosjes, ka thënë Feith.