FAZ: Serbia dhe Kosova duhet të bëjnë edhe më shumë
Prishtinë, 17 maj - Kosova dhe Serbia po normalizojnë marrëdhëniet fqinjësore. Por për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE, si Prishtina ashtu dhe Beogradi, në këtë drejtim, duhet të bëjnë edhe më shumë.
Kështu shkruan gazeta gjermane më njohur Frankfurter Allgemeine Zeitung në një koment kushtuar zhvillimeve në Kosovë dhe Serbi dhe zvarritjes që po bëhet me planin për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel me 19 prill.
Gurin themeltar për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Serbisë dhe Kosovës e ka vendosur Bashkimi Evropian, i cili ka ulur rreth të njëjtës tavolinë dy armiqtë e mëhershëm: ish drejtuesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish zëdhënësin e Sllobodan Millosheviqit, kryeministrin aktual Ivica Daçiq.
Të dy, falë presionit të BE kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, transmeton rtk.
Pa ndërmjetësimin e BE-së dhe pa kushtëzimin me procesin anëtarësimit të dy vendeve në BE, kjo marrëveshje as që do të ishte arritur, shkruan FAZ.
Në rastin e Serbisë, bëhet fjalë për marrjen e datës së fillimit të negociatave, kurse në rastin e Kosovës, të nënshkrimit të marrëveshjes për Asociim dhe stabilizim - MSA.
Brukseli dhe vendet anëtare të BE-së kanë bërë vazhdimisht të njohur se nuk do të pranojë në radhët e tyre as një vend që ka konflikte të ngrira me fqinj. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, veriu i Kosovës i banuar kryesisht me serbë, ka vazhduar të mbetet zonë e krizës.
Me 19 prill ndërkaq është arritur një marrëveshje mes dy kryeministrave me të cilën katër komunat serbe duhet të integrohen në institucionet e Kosovës. Marrëveshja parasheh edhe shpërbërjen e strukturave paralele.
Ndonëse marrëveshja është shpallur historike, Berlini zyrtar vazhdon të mbete skeptik sa i përket përmbushjes së kësaj marrëveshje. Gjatë luftërave në Ballkan shumë herë është dëshmuar se marrëveshjet e arritura si kjo kanë mbetur vetëm në letër. Prandaj sipas gazetës FAZ, të dy vendet duhet të dëshmojnë më shumë seriozitet dhe premtimet ti kthejnë në vepra.
Veçanërisht kjo vlen për Qeverinë serbe, e cila siç shkruan FAZ, duhet të bindë serbët në veri të pranojnë marrëveshjen. Për Qeverinë gjermane dhe Bundestagun gjerman është vendimtare zbatimi në terren i marrëveshjes së arritur.
Për këtë duhet të hartohet një plan i besueshëm për implementim që hapa pas hapi do të çojë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes të dyja vendeve. Pa këtë, Bundestagu gjerman nuk do të japë dritën e gjelbër për procesin integrues të Serbisë në BE