Fatos Klosi nuk pajtohet për krijim e Tribunalit për UÇK-në
Tiranë, 3 prill - Fatos Klosi, ish-shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë, është shprehur se nuk pajtohet me krijimin e një Tribunali për krime të luftës për Kosovën.
Ai shprehet se gjithçka bëhet për të dëmtuar imazhin e UÇK-së dhe të luftës për lirinë e Kosovës.
Fatos Klosi, drejtor i Agjencisë Kombëtare Bërthamore të Shqipërisë, thekson se nuk ka patur asnjë shans që UÇK-ja të ketë bërë transplant organesh apo krime të tjera.
\"Është një vendim politik që niset nga qëllime të caktuara. Mua më vjen keq që pas kaq shumë vitesh ka një dëshirë për të hedhur baltë mbi luftën. Lufta ka rregulla. Por, një gjë duhet të kemi parasysh, që ajo luftë nuk ka qenë një luftë jofrontale.\"
\"Një luftë midis një ushtrie nga më të fortat në Europë me një organizatë le ta quajmë, djemsh të rinj, pa asnjë eksperiencë, të cilët vunë në sheshin e luftës vetëm vullnetin e tyre, trimërinë e tyre dhe sakrificën e tyre.\"
\"Eksperiencën ata njerëz e fituan në luftë. Në fund të fundit, ata në çdo çast po rrezikonin jetën e tyre. Fakti që po merren në bllok të gjithë drejtuesit e UÇK-së, po diskutohet të paktën, tregon që këtu ka një qëllim jo dashamirës\" u shpreh Klosi në një intervistë për Radio Kosovën.
Ish-drejtori i shërbimit sekret tregon bashkëpunimin me shërbimin sekret amerikan, CIA-n, në anën e UÇK-së dhe thotë se Hashim Thaçi ishte djalë serioz dhe trim.
Ish-shefi i shërbimit sekret shprehet gjithashtu se Krimeja nuk ka asnjë ngjashmëri me Kosovën.
Situata në Krime dhe situata në rajonin e Ballkanit, është fare e ndryshme! Them që nuk mund të krahasohet me Serbinë, e cila jo vetëm që është më e vogël, por pretendon që të futet në Bashkimin Europian, e për në NATO-n nuk e kam dëgjuar diskutimin, është shprehur Klosi.