Farrugia: Dua që ta shoh Kosovën gjithnjë të zhvilluar
Valletta, 12 dhjetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në vizitë zyrtare në Maltë, me ftesë të homologut të tij, George Vella.
Ministri Hoxhaj është pritur nga kryetari i Parlamentit të Maltës, Anglu Farrugia, me të cilin kanë folur për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në shumë fusha.
Ministri Hoxhaj e njoftoi kryetarin e Parlamentit me të arriturat e Kosovës duke folur njëherësh për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, e veçmas ndërmjet parlamenteve të dy shteteve.
Kosova dhe Malta mund të bashkëpunojnë në shumë fusha. Por ato për të cilat diskutuam më hollësisht, dhe që ka mundësi të mëdha bashkëpunimi, janë mbështetja e Parlamentit të Maltës për Parlamentin e Kosovës në agjendën e BE-së që nga MSA deri tek anëtarësimi i plotë i Kosovës."
"Po ashtu diskutuam edhe për liberalizimin e vizave duke kërkuar përkrahjen e Maltës në heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. E treta, dhe jo më pak e rëndësishme është forcimi i diplomacisë parlamentare që do ti shërbente njëherësh fuqizimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës, ka thënë Hoxhaj.
Nga ana e tij, kryeparlamentari i Maltës, Anglu Farrugia e falënderoi ministrin Hoxhaj për vizitën duke e përgëzuar njëherësh për progresin që ka shënuar Kosova në vitet e pas shpalljes së pavarësisë, e veçmas organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve të fundit në Kosovë.
Kam dashur dhe dua që ta shoh Kosovën gjithnjë të zhvilluar ashtu si shtetet e tjera evropiane, ka thënë Farrugia.
Ministri Hoxhaj pritet të takohet edhe me ministrin e Jashtëm, George Vella. Po ashtu, dy ministrat do të nënshkruajnë një Memorandum bashkëpunimi që i hap rrugë thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Ministri Hoxhaj po vazhdon turneun diplomatik, gjatë të cilit javën që shkoi mori pjesë në Samitin FrancëAfrikë në Paris, pastaj në Sesionin e Ministrave të Jashtëm të OBI-t që u mbajt në Guinea Conakry të Afrikës.