05 Maj 2024

Evropianët dyshojnë në euro

Bruksel, 18 nëntor - Ndërkohë që Evropa përballet me krizën e saj financiare, dyshimet e shumë evropianëve në lidhje me monedhën e përbashkët janë në rritje.

Euroja, përdorimi i së cilës filloi dhjetë vjetë më parë, tashmë është monedha e 17 vendeve evropiane, duke bërë që operacionet bankare dhe udhëtimet të jenë më të thjeshta për shumë prej qytetarëve të saj.

Por sot euroja është simbol përçarjeje. Borxhi publik dhe problemet bankare që filluan në Greqi, janë përhapur në vende të tjera të eurozonës, duke rrëzuar qeveri të ndryshme – më së fundmi atë italiane.

Edhe në Bruksel, zemra administrative e Bashkimit Evropian, qytetarë si George Missikos kanë filluar të kenë dyshime mbi monedhën e përbashkët.

Missikos mendon se jeta ishte më e lirë para euros. Belgët shpenzonin dhe u mbeteshin ende para në xhepat e tyre. Por sot, thotë ai, ata shpenzojnë dhe xhepat e tyre janë bosh.

Në Hollandën fqinje, 49 vjeçarja e lindur në Amstersam, Ans van Hilten, e sheh euron me mëdyshje.

“Është e thjeshtë kur shkohet me pushime - në Spanjë, Gjermani – ne të gjithë përdorim të njëjtën monedhë. Kështu që ne e dimë se sa kushtojnë gjërat. Por ne më parë kishim monedhën hollandeze, florinin dhe euroja është shumë më e shtrenjtë në krahasim me të. Shumë njerëz duan t’i rikthehen monedhës së mëparshme, edhe pse unë mendoj se nëse kthehemi pas, nuk do të jetë si më parë.”

Për disa vende, si Greqia, kohës së përdorimit të euros mund të jetë duke i ardhur fundi. Anketat e opinionit tregojnë gjithsesi që shumë grekë ende e përkrahin monedhën e përbashkët. Udhëheqësit evropianë thonë se është jetike që eurozona mos të ndryshojë.

Megjithëse mbështetësit e idesë se dalja nga zona e monedhës së përbashkët do të ishte alternativa më e mirë për Greqinë janë duke u shtuar, analisti Philippe Moreau Defarges i Institutit Francez për Çështjet Ndërkombëtare parashikon se eurozona nuk do të ndryshojë.

“Mendoj se për momentin euroja është një varkë shpëtimi. Natyrisht të gjithë duan të ikin, pasi askush nuk do të jetë brenda kësaj varke shpëtimi. Por, euroja është e vetmja varkë shpëtimi e mundshme.”

Masat ekonomike shtrënguese të vendosura nga qeveritë evropiane po thellojnë dyshimet mbi euron dhe mbi eurozonën në përgjithësi. Kjo është e vërtetë në Francë, ku shkurtime të fundit të buxhetit bënë që mijëra njerëz të dilnin nëpër rrugë për të protestuar.

Por, 70 vjeçari në pension Henri Suoques, i cili ishte midis protestuesve në Paris, thotë se euroja nuk është përgjegjëse për problemet e Evropës.

Suoques tha se duke patur një treg të përbashkët, Evropës i duhet një monedhë e përbashkët. Euroja, tha ai, nuk është një pengesë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)