Evropa do të përballet me stuhi te fuqishme dëbore
Londër, 15 dhjetor - Evropa do të përballet brenda disa ditësh me stuhi te fuqishme dëborë, parashikon BBC.
Sipas gjigandit mediatik, kontinenti i vjetër do të bëhet pre e një “cikloni intensiv”, që do të përplasë mbi të reshje të furishme shiu dhe dëborë.
Më të goditurat pritet të jenë rajonet rreth Alpeve, ku brenda 6 orësh mund të bjerë deri në 30 cm borë.
Erëra të forta dhe shira të dendur parashikohen sidomos në Spanjë, në veriun e Francës dhe në Gjermani, por acarin do ta ndiejnë fort edhe Irlanda, Britania e Madhe e Skandinavia. Përkeqësimi i motit nuk do të kursejë Evropën Qendrore, por ai do të zbresë edhe më poshtë, siç tregon BBC që thotë se kushtet e rënduara atmosferike mund të sjellin paralajmërime për përmbytje në Greqi.
Por ndërsa Evropa përgatitet për një darë të acartë, Australia mund të përfshihet nga një valë e madhe të nxehti. Duka filluar nga dita e mërkurë, temperaturat llogaritet të kapërcejnë 40 gradët Celsius.
Rekordi më i madh i nxehtësisë në vend është shënuar në 2 janar 1940 në jug të Australisë, ku termometri shënoi 50.7 gradë Celsius.
Në perëndim të Australisë, temperaturat gjatë fundjavës kanë arritur në 41 gradë Celsius.
“Jemi në pritje të një moti shumë të nxehtë gjatë javës që vjen, që mund të thyejë rekorde për shumë rajone të Australisë”, tha meterologjistja Diana Eadie.
Temperatura të larta të ngjashme ishin shënuar më 7 janar të vitit 2013 me 40.3 gradë Celsius.