11 Janar 2025

Eurodeputetët ofrojn përkrahjen e tyre të parezervë për Kosovën

Strasburg, 12 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Strasburg ka zhvilluar takime me dhjetëra deputetë të Parlamentit Evropian.

Në mesin e shumë takimeve, Hoxhaj ka pasur takime të veçanta me eurodeputetin francez, Joseph Daul, kryesues i grupit të Partive Popullore Evropiane (EPP), anëtar i Konferencës së Presidentëve, çekun Libour Roucek, nënkryetar i Grupit të Aleancës së Progresistëve Socialistë dhe Demokratik, austriaken Ulrike Lunacek, zëvendëskryesuese e Grupit të të Gjelbërve, sllovenin Jelko Kacin, zëvendëskryesues i delegacionit për marrëdhënie me Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën dhe gjermanen Doris Pack, kryesuese e Komisionit për Kulturë dhe Arsim të PE-së.

Ministri Hoxhaj i ka njoftuar eurodeputetët për progresin e gjithanshëm në Kosovë, fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, prioritetet në proceset integruese në BE si dhe për zhvillimet e tjera të rëndësishme politike në Republikën e Kosovës.

Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të PE-së për perspektivën evropiane të Kosovës, duke e quajtur të rëndësisë thelbësore këtë përkrahje.

“Ky angazhim është inkurajues edhe për përkushtimin maksimal të institucioneve kosovare për reforma dhe aspiratën e mbarë shoqërisë kosovare dhe faktorëve politik pa dallim, për integrim në BE”, tha ai.

Hoxhaj theksoi përmbushjen e kritereve për fillimin e negociimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit sidomos në fushën e sundimit të ligjit, minoriteteve, administratës publike dhe tregtisë.

“Të gjitha kriteret afatshkurtra nga Studimi i Fizibilitetit janë përmbushur dhe për këtë zyrtarisht kemi notifikuar Komisionin Evropian. Me realizimin e detyrimeve të fundit që patën mbetur në fushën e tregtisë, të gjitha kushtet e përcaktuara janë përmbushur. Presim që BE tani të lëvizë dhe që Këshilli të miratoj fillimin e negociatave për MSA-në”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka vlerësuar rëndësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për Kosovën.

“Është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe anëtarësimin në BE, kjo do të krijonte mundësi të reja që do të ndihmonte edhe bashkëpunimin me fqinjët si dhe integrimin rajonal të Kosovës”, tha Hoxhaj, duke vlerësuar nevojën për avancim të kornizës zyrtare të partneritetit Kosovë-BE.

Lidhur me dialogun me Serbinë, Hoxhaj theksoi se Kosova do të vazhdojë me qasje konstruktive, duke thënë se është vendimtare që Serbia t’u përmbahet marrëveshjeve dhe që të ketë implementim të plotë të tyre.

Deputetët e Parlamentit Evropian kanë vlerësuar progresin e vazhdueshëm që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e tyre për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës.

Eurodeputetët kanë ofruar përkrahjen e tyre të parezervë për proceset eurointegruese të Kosovës.

Ministri Hoxhaj gjatë takimeve me eurodeputetët ka shprehur angazhimin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Parlamentin Evropian dhe të gjitha grupet parlamentare brenda tij.

Ministri i Jashtëm i Kosovës është takuar edhe me shumë eurodeputetë të tjerë, nga të cilët ka kërkuar përkrahje për proceset në Kosovë.

Pasdite, Hoxhaj do të mbajë një ligjëratë në klubin e lëvizjes evropiane “Pan-Evropa”, ku, përveç përfaqësuesve të saj, do të jenë të pranishëm edhe shumë eurodeputetë, përfaqësues të organizatave evropiane si dhe ekspertë e përfaqësues të shoqërisë civile e medieve..

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)