Erdogan në 21 janar viziton Brukselin
Ankara, 14 janar - Vizita e Kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan në Bruksel më 21 janar vlerësohet si një vizitë me rëndësi kritike për të ardhmen e marrëdhënieve Turqi-Bashkimi Evropian (BE).
Ajo që e bën të rëndësishme këtë vizitë është fakti që ajo realizohet pas 5 vjetësh. Kontaktet që do të realizojë Erdoan në Bruksel flasin për rëndësinë që i kushton krahu i BE-së kësaj vizite.
Parashikohet që Erdoan të ketë takime të ndara me Presidentin e Këshillit Evropian Herman Van Rompuy, Kryetarin e Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso dhe Kryetarin e Parlamentit Evropian Martin Schulz.
Përveç këtyre takimeve dypalëshe ne Bruksel do të mbahet edhe një samit katërsh. Në kuadër të kësaj Erdoan pritet të takohet me Van Rompuy, Barroso dhe Schulz në një drekë pune. Në vizitat që realizohen në Bruksel në nivelin e kryetarit të shtetit ose qeverisë është normale që lideri përkatës të realizojë takime dypalëshe me drejtuesit e institucioneve të BE-së, por mbajtja e një minisamiti me pjesëmarrjen e kryetarëve të tre institucioneve kryesore të BE-së është një praktikë që nuk haset shpesh.
Kontaktet e Erdoanit në Parlamentin Evropian nuk do të jetë të kufizuara vetëm me takimin bilateral që do të ketë me kryeparlamentarin Schulz. Në një aktivitet ku do të jetë pjesëmarrës edhe Schulz, Kryeministri Erdoan do të takohet me liderët e grupeve parlamentare që përfaqëson në Parlamentin Evropian. Krahas liderëve të grupeve parlamentare në këtë takim pritet të marrin pjesë edhe Kryetari i Komisionit të Jashtëm të PE-së Elmar Brok, Bashkëkryetarja e Komisionit të Përzier Ndërparlamentar (Turqi-PE) Helene Flautre, raportuesja e Turqisë në Parlamentin Evropian Ria Oomen-Ruijten.
Pritet që gjatë kontakteve me zyrtarët e BE-së të bisedohet për arritjet në marrëdhëniet Turqi-BE si dhe për hapat që duhen hedhur këtej e tutje për ti ngritur këto marrëdhënie në një stad më të lartë duke ruajtur ritmin e shënuar vitin e kaluar.
Gjithashtu në kuadër të programit në Bruksel Erdoan pritet të marrë pjesë në një aktivitet organizuar në kuadër të festimeve të 50-vjetorit të migrimit të turqve në Belgjikë, ku do të mbajë edhe një fjalim.
Një aktivitet tjetër ku do të marrë pjesë Kryeministri Erdoan është edhe mbledhja e Sesionit të Dytë të Këshillit të Përgjithshëm Konsultativ në Belgjikë të Shoqatës së të Gjithë Industrialistëve dhe Biznesmenëve (TÜMSİAD).